Ndotja e lumenjve nga plastika është kthyer prej vitesh në një problem të mprehtë mjedisor.
Aktualisht, lumi Ishëm konsiderohet lumi më i ndotur në Europë, ndaj ”River Clean up” me qendër në Bruksel në bashkëpunim me degën e vet në Shqipëri ka nisur një sërë aktivitetesh ndërgjegjësuese duke nisur me nxënësit e shkollave dhe aksione konkrete për pastrimin e mjedisit dhe lumenjve.
“Popullata e rritur ka nevojë të shohë fëmijët se si punojnë që të ndërgjegjësohen sesi plastika, problematika më e madhe e lumit Ishëm, të mos ndoti lumin. Do të duhet shumë punë pasi ai është lumi më i ndotur në Europë. Po me partnerët tanë dhe bashkitë respektive mendojmë t’ia dalim. Kamza dhe Tirana janë më ndotësit e lumit pasi pjesa më e madhe e mbetjeve vijnë prej andej”.
Nxënësit e klasave fillore të një prej shkollave të Durrësit u përfshinë sot në një aksion mjedisor për pastrimin e terrenit përreth shkollës.
Këtë fundjavë, rreth 150 të rinj nga Durrësi, Tirana dhe zona përreth do të ndërmarrin një aksion pastrimi në grykëderdhjen e lumit Ishëm, ku ndotja nga plastika paraqitet në nivele tejet kritike dhe vite më parë ka marrë dhe jetë njerëzish.
“Misioni ynë është të pastrojmë lumenjtë e ndotur. Lumi Ishëm është më i ndoturi dhe ambicia jonë është që ai të jetë lumi më i pastër në Europë. Ndjejmë që ka shumë energji në Shqipëri për të bërë ndryshimin”.
Top Channel