Andrea Pirlo flet me superlativa për Juventusin pas fitores në transfertë me Sassuolon. Trajneri bardhezi lartëson figurën e lojtarëve veteranë (Buffon, Dybala dhe Ronaldo), që bëjnë diferencën në momentet të vështira.

“Nuk ishte e lehtë të rimëkëmbeshim pas disfatës së kaluar përballë Milanit. Nuk është kurrë e lehtë të luash kundër një kundërshtari si Sassuolo. Kampionët në futboll janë gjithmonë ata që bëjnë diferencën, ne kemi shumë, kështu që i dhanë një drejtim shumë të saktë ndeshjes. Urime gjithë të tjerëve, sepse luajtën një ndeshje sakrifice. Nuk ishte e lehtë ta ngrinim kokën pas një disfate të keqe, por jemi akoma këtu, gjallë, duke e ditur se kemi akoma dy ndeshje për t’i luajtur. Ne do të luftojmë deri në fund”.

Në vijim të analizës pas ndeshjes, Pirlo theksoi se Juventusi e ka pësuar shpesh nga shpërqendrimi në momente të veçanta nga lojtarë të caktuar.

“Jo vetëm ndaj Milanit, por edhe disa takim të tjera kemi hasur vështirësi shumë herë për shkak të gabimeve në momentet e pësimit të golave, që kanë ardhur si rezultat i neglizhencës individuale e jo të repartit. Kjo është gjëja që më bën më nervoz, të ndihem keq, sepse duke luajtur në një ekip si Juventus ke detyrimin të qëndrosh i përqendruar për 100 minuta, të mos bësh kurrë gabime në lojë. Fanella te Juventusi ka një rëndësi ndryshe nga skuadrat e tjera, kështu që duhet të kesh përqendrimin maksimal në çdo minutë që luan, në çdo sekondë. Penalltia? Kemi humbur një top të rrezikshëm para mbrojtjes, nuk është hera e parë. Kur bën një gabim si ky është e drejtë të paguash”.

Duke folur në veçanti për Dybalan, autori i golit të tretë të Juventusit, Pirlo sqaroi:

“Nuk u duk në fillim të ndeshjes, pastaj u kthye pak nga pak. Nuk është e lehtë pas tre muajsh ta gjesh formën menjëherë, ai duhet të luajë në vazhdimësi. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Ne duhet të rimarrim energjitë fizike dhe të mendojmë për ndeshjen ndaj Interit”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA