Teksa po bëheshin gati të zbrisnin në fushë për nxehjen para ndeshjes me Borussia Monchengladbach, futbollistët e Bayernit të Mynihut u shpallën zyrtarisht kampionë të Gjermanisë për herë të 9 radhazi dhe të 29 në histori.

Por pavarësisht hapjes së shampanjës së titullit kampion, bavarezët nuk treguan aspak mëshirë ndaj kundërshtarëve, madje shfrytëzuan të gjithë entuziazmin për të shënuar plot 6 gola në portën e gardianit zviceran Sommer.

Sulmuesi polak Robert Lewandowski ishte protagonist absolut për bavarezët e Hansi Flick, pasi u rikthye nga dëmtimi dhe shënoi tre herë në portën e M’gladbach, duke marrë topin në shtëpi, por njëkohësisht duke prekur kuotën e 39 golave kur kanë mbetur edhe dy javë nga fundi i sezonit.

Shënuan emrin në listën e golashënuesve edhe Thomas Muller, Kingsley Coman dhe Leroy Sane, të cilët kompletuan suksesin me rezultatin tenistik 6-0 të bavarezëve, ndërsa mbrojtësi 18-vjeçar francez Tanguy Nianze u bë protagonist negativ, pasi u ndëshkua me karton të kuq vetëm 5 minuta pasi zbriti në fushë në vendin e Goretzkës.

Vërshëllima finale e arbitrit gjerman Tobias Steiler sinjalizoi edhe nisjen e festës në “Allianz Stadium”, me bavarezët që hapën zyrtarisht shampanjën e titullit kampion, duke konfirmuar diktatin e vendosur prej 9 sezonesh në Bundesligë.

Top Channel