Pasi fitoi zyrtarisht titullin e 19 kampion në histori, Interi triumfoi me rezultatin e thellë 5-1 ndaj Sampdorias në sfidën që i parapriu edhe ceremonisë së dorëzimit të trofeut dhe festës zyrtare të suksesit të munguar prej 11 vitesh.

Zikaltrit e nisën vrullshëm ndeshjen dhe shënuan me Gagliardinin që në minutën e 5-të, ndërsa më pas ishte Alexis Sanchez që shënoi dy herë në portën e dorianëve, teksa në mes të golave të kilenit, dërgoi topin në rrjetën e Handanovic edhe Keita Balde për miqtë.

Në pjesën e dytë pati kohë për të luajtur të tjerë lojtarë që kanë prekur pak ose aspak fushën e lojës gjatë sezonit, si portieri Radu, që mbajti portën të paprekur deri në fund, apo sulmuesi Pinamonti, që shënoi edhe golin e katërt të zikaltërve, pas një asisti të Barella.

Rezultatin e vulosi Lautaro Martinez, që ekzekutoi saktë një penallti, ndërsa deri në fund nuk pati asnjë moment për t’u shënuar dhe pas vërshëllimës finale të arbitrit, zikaltrit shpërthyen në festën zyrtare të titullit kampion, të cilin e fituan 4 javë para fundit të kampionatit.

Top Channel