Real Madrid, Juventus, Milan e Barcelona nuk kanë vendosur ende për braktisjen e projektit të Super Ligës, ndaj rrezikojnë të përjashtohen për dy sezone nga të gjithë kompeticionet europiane, nëse nuk veprojnë shpejt.
Lajmin e ka bërë të ditur transmetuesi spanjoll ESPN, që citon burime pranë selisë së UEFA-s, se qeveria europiane e futbollit është gati të reagojë me dorë të ashpër ndaj klubeve që synojnë të bëhen pjesë e kompeticioneve të tjera.
Projekti i Super Ligës pati 12 klube themeluese, por 8 prej tyre u tërhoqën në më pak se 72 orë, duke bërë që gjithçka të dështojë pa nisur mirë, ndërsa Reali i Madridit, Juventusi, Milani e Barcelona nuk kanë hequr dorë ende.
Aktualisht kreu i UEFA-s, Alexander Ceferin ka arritur marrëveshje me 6 klubet angleze dhe Atleticon e Madridit, dhe është në negociata edhe me Interin, që gjithçka të kalojë pa pasoja, duke qenë se këto skuadra braktisën idenë e Super Ligës shumë shpejt.
Kreu i UEFA-s, Ceferin e ka bërë vazhdimisht të qartë se çdo klub që do të bëhet pjesë e kompeticioneve të paorganizuara nga qeveria europiane e futbollit apo federata vendase, do të përjashtohet nga garat europiane.
Thënë ndryshe, nëse të 4 klubet e lartpërmendura nuk vendosin të braktisin idenë e Superligës, atëherë do të përballen me pezullim dy vjeçar nga kompeticionet europiane, çka do të komplikonte edhe më tej situatën e tyre ekonomike.
Top Channel