Zamira Durda e cila humbi djalin 7 vjeç në shpërthimin e gërdecit u kthye më pas në simbolin e të kërkuarit drejtësi, ka mundur që përmes SPAK të rihapë hetimet për ish ministrin e mbrojtjes Fatmir Mediu 13 vite vite më pas nga ai krim shtetëror ku humbën jetën 26 persona.

SPAK thotë se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu, e pushuar me vendimin nr.6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Janë ndryshimet kushtetuese të reformës në drejtësi ku thuhet se “deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale ndaj tij, për hetimin apo për gjykimin e tij” që ia mundësuan SPAK rihapjen e hetimeve ndaj zotit Mediu.

Dorian Matlija avokati familjes Durda shpjegon për Top Channel se çfarë do të thotë kjo vendimmarrje nga SPAK.

Avokati Matlija: Ri hetimi Fatmir Mediut është kërkuar shumë herë por asnjëherë nuk u realizua. Vetëm SPAK po e realizon këtë.

Por çfarë shansesh ka që të tjerë zyrtarë të kohës pas Fatmir Mediut të vihen nën hetim nga SPAK?

Avokati Matlija: Është ende herët kjo varet se si do të shkojë hetimi me Fatmir Mediun dhe çfarë mund të deklarojë ai nëse do të merret i pandehur.

Rihapja e hetimit për rolin që ish ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu kishte në tragjedinë e Gërdecit është një hap i parë. Zbardhja e të vërtetës që mbeti e fshehur në tragjedinë e gërdecit, është jashtëzakonisht e nevojshme për të kthyer besimin e shqiptarëve tek drejtësia.

Ndërkohë pyetja që kanë të gjithë në këtë moment, është, se a do ti shkohet deri në fund rrugës së nisur.

Në tragjedinë e Gërdecit u përmenden disa emra, një prej të cilëve edhe Shkëlzen Berisha. Ai u përmend gjerësisht si një nga personat e përfshirë në aferën e Gërdecit. Por a do shkojë drejt tij Drejtësia e re. Kjo mbetet për tu parë.

Top Channel