Nëna që humbi djalin në tragjedinë e Gërdecit e kallëzoi në SPAK/ Shihni sa vota siguroi në Vorë Fatmir Mediu. Ja thirrjet e Zamira Durdaj ndër vite

06/05/2021 14:24

Në 25 prill, Partia Republikane e drejtuar nga Fatmir Mediu hyri në procesin zgjedhor në koalicion me Partinë Demokratike dhe partitë e tjera opozitare, përveç LSI-së. Pavarësisht bashkimit, opozita nuk mundi të triumfonte duke siguruar vetëm 59 mandate.

Në listën e koalicionit PD-AN, Fatmir Mediu ishte pjesë e listës së sigurt të kandidatëve, sepse ishte renditur i 7-i në qarkun e Tiranës. Por krahasuar me aleatët e tjerë, ish-ministri i Mbrojtjes, në kohën kur ndodhi tragjedia e tmerrshme e Gërdecit, ishte surprizë në qarkun e Vorës sepse mori 6568 vota. Ditën e sotme, Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit ka rikthyer edhe njëherë në lojë ‘Dosjen Gërdeci’, pasi familja Durdaj kishte bërë kallëzim për të rihapur hetimet për ish ministrin e mbrojtjes Fatmir Mediu.

Zamira Durdaj, në 15 mars të 2008 ditën kur shpërtheu Gërdeci humbi djalin e saj, Erisonin. Që prej asaj kohe, ka këmbëngulur që të vihet drejtësi dhe për këtë arsye Fatmir Mediu është paditur në SPAK.

Pak para zgjedhjeve të 25 prillit, Geraldo Durda, i cili humbi të vëllanë tha se drejtësia është e vonuar dhe se ish funksionarët e shtetit që duhet të mbanin përgjegjësi u bënë pjesë e listës për zgjedhjet e 25 prillit.

Në mars të vitit 2019, nëna e djalit të ndjerë dha një intervistë për “Top Story” duke thënë: “Zotit ia fal, por robit jo. Atyre që ma bënë nuk ua fal kurrë jetën e atij. Një fëmijë i lindur në vitin 2000 të vdesë nga baruti e predha, që nuk i di çfarë janë? S’i kam borxh askujt, veçse më kanë jetën e gjakun e atij fëmije. Për të nuk do të rresht asnjë sekondë, sa të kem jetën time, do të kërkoj drejtësi, do t’i lëviz të gjithë gurët e kësaj bote. Gërdeci nga institucionet nuk u hetua si vepër korruptive, se ndodhi nga babëzia për parà dhe askush nuk ka hetuar”.

Në qershor të vitit 2018, Zamira Durdaj hodhi akuza të drejtpërdrejta për gjyqtarin Shkëlzen Selimi, i cili kryesonte gjykimin për Gërdecin, por që nuk e kaloi në seancë të hapur.

“Ai e ka dhënë në gusht kur të gjithë njerëzit ishin me pushime. Gjykata e Lartë dha vendimin që e pushoi çështjen e Gërdecit. Atje jam zhgënjyer totalisht dhe pa praninë e kamerave kam dhënë një klithmë shumë të madhe pasi nuk më jepej as vendimi, pasi e kanë marrë në një fshehtësi shumë të madhe. Duhet të na kishte dëgjuar edhe ne. Unë nuk kërkoi gjëra të paqenë, por një proces të rregullt gjyqësor. Të vendoset drejtësi për ato viktima. Çfarë faji patën?”, tha Zamira.

Ndër vite, Durdaj u end në dyert e gjykatave duke këmbëngulur për drejtësi por mbeti e zhgënjyer.

“Nuk mund ta duroj një gjë të tillë. Qëndrimi i gjykatës është i tmerrshëm dhe kjo nuk mund të durohet. Haram i qoftë buka që ha dhe paga që merr. Do ta ndjek çështjen edhe në Gjykatën e Lartë, pavarësisht se nuk kam shpresë. Nuk dua dëmshpërblim, dua drejtësi, dua të di pse nuk jeton më djali im”, tha ajo.

Top Channel