“Dua të di pse nuk jeton djali im”/ Tragjedia e Gërdecit, SPAK kërkon të rihapen hetimet për Fatmir Mediun

06/05/2021 10:55

SPAK i ka bërë kërkesë Gjykatës së Lartë që të rihapë hetimet për ish ministrin e mbrojtjes Fatmir Mediu. Familja Durdaj, e cila ka humbur djalin në moshën 7 vjeçare në tragjedinë e Gërdecit ka bërë kallëzim në SPAK dhe prej vitesh kërkon drejtësi për këtë çështje.

Nëna e një prej 26 viktimave, Zamira Durda, e cila humbi djalin 6 vjeç në këtë shpërthim ka bërë vazhdimisht thirrje që të mos zvarritet ky proces.

Teksa endej dyerve të gjykatave pasi ishte e zhgënjyer për sistemin e drejtësisë, Durda shprehej: “Nuk mund ta duroj një gjë të tillë. Qëndrimi i gjykatës është i tmerrshëm dhe kjo nuk mund të durohet. Haram i qoftë buka që ha dhe paga që merr. Do ta ndjek çështjen edhe në Gjykatën e Lartë, pavarësisht se nuk kam shpresë. Nuk dua dëmshpërblim, dua drejtësi, dua të di pse nuk jeton më djali im”. 

Ndërsa pushimin e çështjes e cilësoi si korrupsion.

Nga analizimi i pretendimeve në kërkesën për rihapjen e hetimeve, rezulton se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj Mediut dhe të rihapen hetimet ndaj tij për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim.

Prokuroria e Posaçme vlerëson se ndjekja penale për çështjen penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu nuk ka asnjë pengesë që të vazhdojë duke sqaruar se pengesa e autorizimit për procedim ka qenë e përkohshme në momentin kur është vendosur pushimi i çështjes, ndërsa tani kjo pengesë nuk ekziston.

Në njoftimin zyrtar thuhet se Prokuroria e Posaçme ka paraqitur në Gjykatën e Lartë kërkesë për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj Fatmir Mediut, e pushuar me vendimin nr.6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe vijimin e proçesit gjyqësor ndaj tij, i akuzuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal dhe nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak.

Para zgjedhjeve të 25 prillit, Geraldo Durda, i cili humbi të vëllanë në tragjedinë e Gërdecit tha se drejtësia është e vonuar dhe se ish funksionarët e shtetit që duhet të mbanin përgjegjësi ishin pjesë e listës për zgjedhjet e 25 prillit. Sipas tij, Fatmir Mediu ish ministri i mbrojtjes që ka firmën e tij në atë që ndodhi në Gërdec, nuk duhet të jetë listën e kandidatëve për deputetë. Mediu renditej në vendin e 7-të në listën e koalicionit PD-AN për qarkun e Tiranës.

Njoftimi i plotë

Në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë është depozituar kërkesa e shtetasve Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, trashëgimtarë të viktimës E.D., i cili ka humbur jetën në moshën 7 vjeç, me objekt ndjekjen penale të shtetasit Fatmir Mediu, ish Ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë.

Nga analizimi i pretendimeve të parashtruara në kërkesën e mësipërme, nga rezultatet e veprimeve verifikuese të kryera lidhur me faktet e pretenduara, si dhe nga shqyrtimi i dokumentacionit të administruar, është arritur në përfundimin se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu, e pushuar me vendimin nr.6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Konkretisht, në datën 15.03.2008, në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në Tiranë, ku ushtronte aktivitetin e ç’militarizimit dhe ç’montimit të municioneve luftarake shoqëria “Albademil” sh.p.k., ndodhën një seri shpërthimesh masive që sollën pasoja të rënda. Si rezultat i kësaj ngjarje u shkaktua vdekja e 26 personave, plagosja e rëndë e 27 personave, plagosja e lehtë e 109 personave, dëmtime të parëndësishme për 67 persona, si dhe dëmtime të tjera të paklasifikuara të 61 personave që janë trajtuar në spitale e qëndra shëndetësore. Po kështu, kjo ngjarje solli pasoja dhe dëmtime të pasurive të ndryshme në total në vlerën 2.243.843.616 lekë, duke përfshirë pasuri të shtetasve dhe pasuri shtetërore e publike.

Lidhur me këtë ngjarje Prokuroria e Përgjithshme rregjistroi proçedimin penal nr.3 viti 2008 dhe ushtroi ndjekjen penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu në cilësinë e ish Ministrit të Mbrojtjes, si dhe ndaj shumë personave të tjerë. Në përfundim të hetimeve paraprake, në datën 13.03.2009, Prokuroria e Përgjithshme paraqiti në Gjykatën e Lartë kërkesë për gjykimin e çështjes penale nr.3 viti 2008. Në këtë hetim shtetasi Fatmir Mediu u akuzua për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, parashikuar në nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak dhe neni 25 i Kodit Penal.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.6, datë 14.09.2009, vendosi pushimin e proçedimit penal në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu, për shkak se ndjekja penale ndaj tij nuk mundet që të vazhdojë. Kolegji Penal ka arsyetuar se zgjedhja e shtetasit Fatmir Mediu deputet në Kuvend me vendimin e datës 01.08.2009 (rizgjedhja si deputet pas dërgimit të çështjes në gjyq) dhe mungesa e një autorizimi për proçedim të Kuvendit të Shqipërisë për këtë person pas mandatimit si deputet, është një prej rrethanave ligjore të parashikuara nga neni 290/1, shkronja (e) të Kodit të Proçedurës Penale, në bazë të të cilit ndjekja penale e filluar në ngarkim të shtetasit Fatmir Mediu nuk mundet që të vazhdojë.

Shkaku ligjor për të cilin Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.6, datë 14.09.2009 ka vendosur pushimin e çështjes penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu, ekzistenca e imunitetit parlamentar ndaj ushtrimit të ndjekjes penale, nuk ekziston më në legjislacionin proçedural penal. Bazuar në nenin 73 të Kushtetutës (ndryshuar me ligjin nr.88/2012) dhe nenit 288 të K.Pr.Penale (ndryshuar me ligjin nr.35/2017), imuniteti parlamentar i deputetit gjen zbatim për caktimin e masave të sigurimit “arrest në burg” dhe “arrest në shtëpi”, heqjen e lirisë në çfardo lloj forme, në rastin e kontrollit të banesës apo të personit, por deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale ndaj tij, për hetimin apo për gjykimin e tij.

Prokuroria e Posaçme vlerëson se ndjekja penale për çështjen penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu nuk ka asnjë pengesë që të vazhdojë, pengesa e autorizimit për proçedim ka qënë e përkohshme në momentin kur është vendosur pushimi i çështjes, ndërsa tani kjo pengesë nuk ekziston.

Për shkaqet e mësipërme, në datën 05.05.2021 Prokuroria e Posaçme ka paraqitur në Gjykatën e Lartë kërkesë për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu, e pushuar me vendimin nr.6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe vijimin e proçesit gjyqësor ndaj shtetasit Fatmir Mediu, i akuzuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal dhe nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA