Operacioni kombëtar për vaksinimin e popullsisë në Greqi, me emrin e koduar “Liria” ka hyrë në fazën e tij të tretë dhe po zhvillohet me ritme tepër të shpejta, sidomos ditët e fundit.

Prej fillim të kësaj jave autoritetet shëndetësore kryejnë 100.000 vaksinime në ditë, një shifër rekord, pasi në këto momente në të gjithë vendin funksionojnë 1500 qendra vaksinimi, që janë të hapura deri në orën 10 të mbrëmjes.

Dita e mërkurë ka qenë edhe dita e premierës për vaksinën Johnson & Johnson, me të cilën do të fillojë edhe vaksinimi i atyre personave me aftësi të kufizuara në lëvizje.

Kompania amerikane do sjellë gjatë muajit maj 300.000 doza dhe 960.000 të tjera do të vijnë në qershor kur pretendohet të vaksinohen 2.5 milionë grekë dhe 4 milionë të tjerë në muajin korrik.

Specialistët që kanë komentuar numrin ende të lartë të vdekjeve theksojnë se shumica e atyre që intubohen si dhe të atyre që humbin betejën me koronavirusin janë të pa vaksinuar.

Sipas të dhënave të fundit në spitalet greke trajtohen 4200 pacientë me Covid-19, prej të cilëve 765 të intubuar, ndërsa numri i shtrimeve ka rënë në 420 në ditë. Në 24 orët e fundit 96 persona kanë humbur jetën.

Pasi janë hapur në ambientet e jashtme restorantet e kafenetë, si dhe klasat e maturës, nga e hëna që vjen hapen të gjitha shkollat fillore dhe gjimnazet ku nxënësit dhe mësuesit do të jenë të detyruar të kryejnë dy teste falas antiCovid çdo javë.

Dita e madhe konsiderohet data 15 maj kur Greqia ka deklaruar se do të hapë sezonin turistik dhe me këtë rast do të lejojë edhe lëvizjen brenda rretheve për qytetarët e saj që provuan lockdow-in më të gjatë të Europës.

Top Channel