Lucas Vasquez është një nga lojtarët e Realit të Madridit, që i skadon kontrata me klubin “merengues” dhe që nuk ka marrë ende asnjë ofertë për rinovimin e saj.

Sipas mediave spanjolle, anësori polivalent nuk bën më pjesë në planet e “Los Blancos”, ndaj pritet të lihet i lirë në fund të sezonit, ndërsa për shërbimet e 29-vjeçarit janë vënë në lëvizje shumë klube.

Milani është një nga ata që po ngulojnë më shumë, pasi Vasquez mund të luajë në të dy krahët e mbrojtjes, por edhe në të dy krahët e sulmit, duke sjellë eksperiencë dhe cilësi te kuqezinjtë. Vetë futbollisti, në një intervistë për mediat spanjolle pranoi se është krenar që ka veshur fanellën e Realit të Madridit dhe se menaxherët e tij po punojnë për t’i mundësuar më të mirën për të ardhmen.

“Për momentin jam i përqendruar te Reali i Madridit, pasi jemi në garë për dy trofe shumë të rëndësishëm dhe duam të fitojmë. Jam krenar dhe me fat që kam veshur fanellën e këtij klubi, me të cilin jam edhe tifoz, por për të ardhmen nuk di të them asgjë. Është një çështje me të cilën merren agjentët e mi, të cilët do të bëjnë më të mirën”, u shpreh Vasquez.

Top Channel