Kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani, është larguar nga studio e Open në Top Channel mbrëmjen e sotme, pas një debati me moderatoren e emisionit, Eni Vasili.

Sipas Shabanit, ai nuk mori kohën e duhur për të folur në emission dhe se nuk iu la të mbaronte arsyetimin.

“Po më lër të mbaroj fjalinë tani, se kam 30 minuta pa folur,” tha Shabani.

“Po ja prit t’i japim dhe fjalën …,” tha Vasili.

“Po ç’është kjo punë që s’më lini të mbaroj,” tha Shabani dhe më pas hoqi mikrofonin dhe u largua.

Kujtojmë se, Nisma Thurje arriti të marrë mbi 10 mijë vota në zgjedhjet e 25 prillit por jo të mjaftueshme për të prodhuar një mandat deputeti në Kuvendin e ri të Shqipërisë.

Para se të largohej nga studio, Shabani u shpreh se partitë e vogla kanë pasur nevojë ekstreme që elektorati i tyre të njihej.

Shabani: 30 ditë fushate ka qenë e vështirë që votuesit të shohin programin tonë politik. Mendoj se fushata jonë ka qenë më e mirë se fushata e Tom Doshit. Pas fushatës ju na merrni këtu dhe na thoni pse jemi kaq të dobët. Ndërkohë që keni një subjekt që ka marr mbi 10 mijë vota dhe nuk është sot në parlament. Jemi në një situatë ku partitë të cilat kanë edhe para nga grupet kriminale kanë marrë 140 mln lekë nga taksat tona për të bërë fushatë, për të cilën e bëjnë për 4 vjet. Ne që kishim nevojë ekstreme për të na njohur elektoratin kemi marrë 0 lekë. E gjithë debati u polarizua, pati një vrasje në Elbasan, është e vështirë që një aktor i tretë të mbi në këtë situatë, sepse një pjesë e madhe e opozitarëve thonë të votojmë Bashën të heqim Ramën. Në këtë mes edhe media dhe analistët diskutojnë pse nuk fitojnë partitë e reja. Kjo quhet profeci vetëmbushëse, ky lloj diskursi ka impaktin e vet. Nuk kemi humbur ne, kemi humbur të gjithë. Kemi nevojë për një dorë, për rolin tuaj, se nuk është problemi te ne, problemi është që ça modeli i japim të rinjve.

Top Channel