Vllaznia pret Teutën/ Për Brdaric, sfida është hap në rrugën drejt titullit

03/05/2021 12:14

Vllaznia-Teuta është sfida që ka marrë vëmendjen më të madhe në javën e 31-të, të Kategorisë Superiore.

Sot, në orën 18:00, në Loro Boriçi vihen përballë 2 skuadra që janë në një garë totale për titullin kampion me skuadrën durrsake që kryeson klasifikimin me 2 pikë më shumë se Vllaznia e vendit të tretë, dhe për trajnerin e Vllaznisë, Thomas Brdaric, kjo sfidë është një hap tjetër në rrugën drejt titullit.

Kjo ndeshje është vetëm një hap në rrugën drejt titullit. Do të përballemi me një Teutë ndryshe që është, në krye të klasifikimit dhe një ekip shumë i fortë, por dimë sesi t’i mundim ata, i kemi mposhtur dhe këtu. Kjo do të jetë një tjetër ndeshje, tjetër kapitull. Mendoj se kemi aftësitë që nesër të fitojmë.Teuta ka elemente të aftë për të bërë diferencën, sidomos në sulm, por edhe ne kemi lojtarë të tillë. Nëse punojmë të gjithë së bashku, do jetë ndeshje e mirë”.

Për trajnerin e skuadrës shkodrane, fakti që Vllaznia luan në shtëpi e favorizon atë.
Na favorizon fusha dhe fakti që luajmë në shtëpi. Për mua ka rëndësi të jemi mirë fizikisht dhe të bëjmë ndeshje mbi mesatare nga fillimi, në fund. Jo të gjithë lojtarët na në formën më të mirë. Do fusim më të mirët në fushë. Ndaj Edi Martinit do marrim tre pikët dhe së bashku do pimë verë të bardhë, e paguaj unë“.

Java e 31-të e Kategorisë Superiore u hap të dielën, me 2 ndeshjet e para: ajo mes Bylisit dhe Tiranës, e cila u mbyll me barazimin pa gola 0-0, ndërkohë që në stadiumin e Kamzës, Skënderbeu mori një fitore të çmuar për mbijetesën në Superiore, teksa mundi Kastriotin me rezultatin 2-0 me gola të shënuar nga Jean Viktor dhe Vangjeli, që të dy në pjesën e dytë.

Top Channel