Grupi parlamentar socialist nisi sot firmosjen e kërkesës për shkarkimin e presidentit të Republikës, Ilir Meta.
Sipas juristëve, është e drejtë e kuvendit të kryejë një procedurë të tillë.
Nga pikëpamja juridike, juristi, Jordan Daci, thotë se procedura mund të fillojë. “Nisma për shkarkim është e drejtë e drejtë e Kuvendit. Ka të drejtë apo nuk ka të drejtë i takon kuvendit që ta hetojë dhe në fund fare Gjykatës Kushtetuese. Nuk mund të thotë njeri nuk ka të drejtë, është në të drejtën e kuvendit.
E drejta proceduriale për të filluar procedurat, është e padiskutueshme. Edhe nëse arrihet procedura për të bërë shkarkimin, pastaj do të jetë gjykata kushtetuese që do e vlerësojë, brenda kufirit ligjor, për shkak se kuvendi ka dhe 4 muaj afat”.
Për juristin, Plarent Ndreca, një procedurë e tillë është e domosdoshme, pasi Meta ka tejkaluar kompetencat e Presidentit. “Pushteti legjislativ e ka paralajmëruar Metën për veprimet antikushtetuese, që po kryente në vijimësi gjatë gjithë periudhe zgjedhore dhe parazgjedhore,e rëndon pozitën e tij dhe e ekspozon akoma më tepër, në përballje me dispozitat kushtetuese. Unë konsideroj që janë të gjitha arsyet që të fillohet një procedurë për shkarkimin e Metës, pasi me këmbëngulje ka kryer veprime antikushtetuese dhe e ka bërë si askush tjetër para tij një institucion të dalë nga binarët. U bë palë në proceset zgjedhore, duke e përdhosur totalisht institucionin e presidentit.
Ndryshe nga më parë, këtë radhe kemi dhe pasoja. Kërkesat për dhunë nga ana e presidentit, janë shoqëruar edhe me dhunë reale, konkrete. Që do të thotë, se ekzistojnë kushtet për të nisur procedurat dhe për të bërë lidhjen shkaktësore. Presidenti i Republikës është institucion, jo individ dhe çdo institucion ka pushtetin e kufizuar, nuk mund ta tejkalojë”.
Daci nuk ndan të njëjtin mendim me Ndrecën, pasi, sipas tij, qëndrimet e Presidentit kanë qenë opinione personale. “Ai është mendimi i tij dhe nuk e bën as jokushtetues dhe as kushtetues kuvendin, pavarësisht qëndrimit që ai mban. Nuk përbën shkelje në vetvete”.
Ai shton se mungesa e Gjykatës Kushtetuese ka shkaktuar tejkalimin e pushtetit nga institucionet e vendit. “Në kushte normale, një President nuk duhej të përfshihej në këtë debat, por duke pasur parasysh, që në Shqipëri nuk ka funksionuar për një kohë të gjatë institucioni i Gjykatës Kushtetuese, kjo u ka dhënë të gjithë palëve të drejtë që të tejkalojnë pozicionet e tyre dhe të shprehin edhe këtë vendim.
Presidenti mund të mbrohet edhe me idenë e pasjes së një simbolike, në thëniet e tij. Kjo justifikohet me mbrojtjen e votës. Këtu nuk ka vepër penale, por nëse do të jemi në shkallen e një shkeljeje të rëndë apo të lehtë, unë gjykoj që mund të ngelemi në ‘pellgun’ e shkeljeve të lehta. Megjithahtë, unë nuk i njoh provat që deputetët kanë”.
Top Channel