Rëndimi i kushteve të punës në sektorin privat gjatë kohës së pandemisë, bëri që organizimet e protestave të ishin më të mëdha për këtë një maj që shënon Ditën Ndërkombëtarë të Punës.
Grupe qytetarësh përmes katër organizimeve të ndryshme marshuan përgjatë sheshit në kryeqytet, dhe adresuan kërkesat për kthim në vendet e punës nga u larguan padrejtësisht, rritje të pagës minimale nga 170 në 350 euro, pagesë të orëve shtesë në punë, respektim të kontratës kolektive.
Përfaqësuesi i punëtorëve për sektorin privat, Jusuf Azemi, për mosrespektim të Ligjit të Punës fajëson Qeverinë.
Top Channel kishte raportuar në të kaluarën se në Kosovë, 90 për qind e subjekteve private dhe publike nuk inspektohen nga Inspektorati i Punës, pasi ky institucion ka në dispozicion vetëm 33 inspektorë.
Ndërsa numri i ankesave gjatë vitit 2020, kishte arritur në 10 mijë nga mbi 4 mijë sa ishin në 2019.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, tregojnë se shkalla e papunësisë në Kosovës është 25 përqind dhe 70 për qind e tyre nuk kanë punuar 12 muajt e fundit.
Ndërsa raporti i progresit i Bashkimit Evropian për vitin 2020, tregon se 18 për qind e popullatës jeton nën vijën e varfërisë me 45 euro në muaj, dhe 5.1 për qind në varfëri të skajshme me më pak se dy euro në ditë.
Top Channel