Duke nisur nga 1 maji, India ka nisur të zbatojë planin e vaksinimit të 600 milionë të rriturve, ndonëse disa rajone kanë thënë se kanë doza të kufizuara, apo aspak vaksina kundër koronavirusit.
Ndonëse India është shteti që prodhon më së shumti vaksina në botë, ky vend nuk ka mjaftueshëm vaksina për qytetarët e vet.
Si pasojë e ndaljes së eksportit të vaksinave në vendet e huaja nga muaji mars, e gjithë bota është përballur me zvogëlim të sasisë së dozave të vaksinave.
E përditshmja The Times of India ka raportuar se gjashtë shtete – nga 28 në total dhe tetë territore – do të mund të nisin vaksinimin për të gjithë të rriturit.
Në kryeqytetin financiar Mumbai, autoritetet kanë mbyllur qendrat e vaksinimit për tri ditë, derisa shefi i ministrave në Delhi u ka thënë qytetarëve që të mos paraqiten për vaksinim për 1 maj, pasi dozat e reja nuk kanë arritur ende.
Vetëm rreth 9 për qind e popullsisë së Indisë ka marrë një dozë të vaksinës, çka e bën pjesën më të madhe të popullsisë së cenueshme ndaj variantet e virusit.
Shkalla e infektimit në Indi mund të jetë 10 herë më e rendë sesa sugjerojnë shirat zyrtare.
Ekspertët thonë se situata ka mundësi të përkeqësohet ende.
Shtetet e Bashkuara, bashkë me disa vende tjera, kanë marrë vendim për të kufizuar udhëtimin nga India, duke nisur nga 4 maji, për shkak të rritjes së madhe të shkallës së infektimeve me koronavirus dhe paraqitjes së varianteve të reja.
Ndërkohë Uashingtoni ka thënë se do të dërgojë pajisje mjekësore në Indi, në vlerë të 100 milionë dollarëve, si dhe do të dërgojë materialet e veta për vaksina, çka do të mundësojë prodhimin e 20 milionë dozave.
Përveç SHBA-së, më shumë se 40 shtete në botë kanë thënë se do ta ndihmojnë Indinë, teksa përballet me krizën shëndetësore.
Top Channel