Maji do të jetë një muaj shumë i rëndësishëm për Milanin, që jo vetëm duhet të luftojë shumë për të siguruar një vend në zonën Champions, por duhet të bindë edhe portierin Giggio Donnarumma të firmosë kontratën e re.

Bashkëpunimi i gardianit italian me kuqezinjtë përfundon bashkë me këtë sezon dhe deri tani palët janë shumë larg njëra-tjetrës, pasi Raiola kërkon 10 milionë euro neto në sezon, plus bonuset, ndërsa drejtuesit e Milanit nuk shkojnë përtej 7 milionë eurove plus bonuset.

Sipas mediave pranë klubit kuqezi, duket se Maldini nuk ka ndërmend të rritë ofertën për portierin, pasi rrezikon të destabilizojë ambientin dhe të nxitë pretendime më të larta edhe nga lojtarët e tjerë. Nga ana tjetër edhe Raiola po vuan jo pak të gjejë një skuadër të gatshme t’i ofrojë pagë të lartë portierit italian, ndaj palët po mendojnë të rinovojnë bashkëpunimin edhe për një tjetër sezon me fanellën kuqezi.

Paris Saint Germain është tërhequr nga gara për Donnarummën dhe aktualisht interes për të ka shprehur vetëm Chelsea, që gjithsesi nuk duket i gatshëm të paguajë komisionet mjaft “të kripura” që pretendon Raiola në rast transferimi me parametra zero.

Top Channel