Europa League/ Arsenal mposhtet 2-1 nga Villareal, finalisti përcaktohet në Londër

29/04/2021 23:43

Një sfidë mjaft interesante ishte edhe ajo e zhvilluar në “Estadio de la Ceramica” të Villarealit, ku vendasit ia dolën të triumfojnë me rezultatin 2-1 përballë Arsenalit, ndërsa Unai Emery i dha një leksion “të hidhur” ish skuadrës së tij.

“Nëndetësja e verdhë” zhbllokoi rezultatin që në minutën e 5-të me anë të Trigueros, që përfitoi nga një top i mbetur në zonë dhe lëshoi një diagonale të fortë, duke mposhtur gjermanin Bernd Leno.

Në minutën e 29’ ishte mbrojtësi veteran Raul Albiol që mposhti për herë të dytë portierin Leno dhe dyfishoi avantazhin e spanjollëve, ndërsa në minutën e 57’ Ceballos mori kartonin e dytë të verdhë, duke lënë “topçinjtë” me 10 futbollistë. Villareali nuk ia doli të shfrytëzojë epërsinë numerike, duke shpërdoruar disa raste të mira shënimi, ndërsa në minutën e 73-të Saka fitoi një 11-metërsh, të cilin e shndërroi në gol sulmuesi Nicolas Pepe, duke rihapur ndeshjen.

Kur kishin mbetur edhe 10 minuta nga fundi i ndeshjes, Capoue mori kartonin e dytë të verdhë dhe la Villarealin me 10 futbollistë, duke bërë që forcat në fushë të balancoheshin, megjithatë rezultati mbeti i pandryshuar dhe finalistja do të përcaktohet në sfidën e kthimit në Londër.

Top Channel