Partia Socialiste me në krye Edi Ramën, ka arritur të sigurojë mandatin e tretë të qeverisjes.
Në orën 18:00, kryeministri lajmëroi grumbullimin e mbështetësve në sheshin “Skënderbej”, në Tiranë, për të falenderuar të gjithë ata që i sollën fitoren, sipas tij.
Së bashku me gruan, Linda Ramën, kryesocialisti doli nga selia e Partisë Socialiste për të shkuar mes turmës, drejt sheshit, ku u prit nga qindra mbështetës, që mbanin flamuj kuq e zi në dorë.
Gjatë fjalës së tij, nuk mugoi falenderimi për Lindën. “Një falenderim për gjysmën time më të mirë. Të vetmen opozitë që nuk e mund dot. Është guri që na mbledh, drita që na energjizon. Faleminderit grua!” tha Rama në shesh.
Binte në sy veshja sportive e të dyve, por Linda kishte guxuar më shumë, teksa mbante syzet e zeza, e veshur aspak klasike dhe me flokët në nuanca lejlaje.
Nga 140 deputetë që do të ulen në parlamentin e ri, Partia Socialiste ka siguruar 74 prej tyre. Megjithatë, pritet që të mbarojë numërimi në qarkun e Durrësit dhe Tiranës, për të dhënë rezultatin përfundimtar.
Top Channel