Erion Veliaj, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Tiranën, në një konferencë për mediat pas procesit zgjedhor, pohoi të gjitha Exit Poll-et nxjerrin fituese Partinë Socialiste. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të presin deri në fund numërimin e votave.
“Ka qenë një ditë e gjatë, një ditë e bukur, ka qenë një ditë frytdhënëse dhe mezi pres që ta çojmë deri në fund këtë ditë, duke filluar me procesin e numërimit. Lajm i parë i mirë që morëm është se të gjitha sondazhet, të gjitha ato që quhen exit poll-et, që janë një praktikë e re në Shqipëri na kanë nxjerr fitues në Republikë me 71-72 mandate, faleminderit faleminderit shumë. Lajmi i dytë më i mirë është që projeksionet tona si në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë janë më shumë se sa 72 mandate. Por si projeksionet e exit poll-eve 71-72, si tonat që janë më shumë se aq do të duhet që të presin me shumë durim procesin e numërimit. Dua të falenderoj të gjitha ata që shërbyen si komisionerë.
Të gjithë ata që shërbyen si vëzhgues dhe si monitorues, të gjithë ata që shërbyen si patronazhistë që bënë një punë fantastike. Por në finale do duhet të presim procesin e numërimit. Në këtë moment, pjesa më e madhe e kutive të votimit janë nisur për në qendrat e numërimit dhe lipset që të tregojmë durim teksa fitorja që është në kutitë e votimit në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë të numërohet. Të numërohen votat tona të fitores, të numërohen edhe votat e kundërshtarëve tanë, të numërohen edhe votat e atyre partive që ndoshta nuk kanë komisionerë dhe numërues, sepse unë besoj që vota është një kontratë e shenjtë, e për sa kohë që ajo kontratë e shenjtë kujt i është dhënë , është futur në kutitë e votimit, do duhet të lexohet me respektin më të të madh për hir të atyre shqiptarëve që dolën masivisht në votime për t’i dhënë vendit tonë verdiktin.
Fakti që të gjitha sondazhet nxjerrin PS forcën fituese me 71-72 mandate dhe tani futemi në procesin e numërimit, do t’ju kërkoj të gjithëve me shumë dashamirësi që ta respektojmë këtë proces deri në fund dhe nesër kur të kemi të qartë mandatet ekzakte të fitores sonë, të kemi mundësi të falenderojmë të gjithë ata që punuan, të kemi mundësi t’i shtrijmë dorën edhe kundërshtarëve tanë për të filluar një rrugëtim të ri për Shqipërinë tonë”, tha Veliaj.
Top Channel