Të dërguarat e Washingtonit në Tiranë, janë destinuar për tu përballur me burrat president të Shqipërisë.
Presidenti Ilir Meta, e sosi qetësinë dhe dashurinë me SHBA, duke u vendosur publikisht, në një kurs të fortë përplasje me ambasadoren Yuri Kim, njësoj si ish presidenti Sali Berisha në vitin 1997, me ambasadoren amerikane të kohës Marisa Lino.
Presidenti Meta, e ndaloi intervistën Live, në Syri TV duke iu përgjigjur një SMS-je të ambasadores Yuri Kim.
I pari i shtetit nuk e lexoi përmbajtjen e mesazhit por ishte vetë ambasadorja amerikane ajo e cila e publikoi atë në Twitter.
“Është e papranueshme për gjithkënd për të kërcënuar se qytetarët duhet të marrin sfurqet më 25 Prill apo nëse ata nuk e pëlqejnë rezultatin e zgjedhjeve. Të tilla kërcënime meritojnë të dënohen. Ata të cilët iniciojnë dhunë do të mbahen përgjegjës për fjalët e tyre dhe veprimet. Stop”.
Ky mesazh iu lexua presidentit Meta në studio dhe prodhoi një reagim shpërthyes në adresë të ambasadores Yuri Kim.
“Më tha që duhet të ndalosh me këto sfurqet , unë i thashë duhet të ndalosh së mbrojturi Ramën, po të dojë le të vijë këtu me Edi Ramën me këtë të dojë. I them Amerikës të dua shumë po pas Shqipërisë, kështu i kam thënë edhe para dy ditësh. Kam Shqipërinë përpara, kam ca vende bosh , pastaj Amerikën. Dhe Amerikën e dua për aq kohë sa nuk dëmton Shqipërinë. Ambasada stop, ndërhyrjes, të shohë punën e saj.”
Presidenti Ilir Meta, e avancoi më tej qëndrimin e tij duke zbuluar një bisedë telefonike të mëparshme me ambasadoren Kim.
“Më ka marrë në telefon , jo andej këtej, ne dimë ca gjëra për ty. Ambasadorja i thotë presidentit të Republikës ne dimë ca gjëra për ty. Ça dini ju për mua , nxirrini. Nëse SHBA kanë problem me Ilir metën , më lajmëroni se unë e di që ju dhe më vrisni, po të vete te mali me Gropa, më çoni ndonjë raketë, që të mos dëmtohen të tjerë”.
Qershia mbi tortë e kësaj përplasje të fortë publike mes presidentit dhe ambasadores Kim, ishte një lajm që erdhi mbrëmjen vonë të së premtes, nga Washingtoni. Ish ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu është emëruar numri dy i departamentit amerikan të shtetit. Ambasadori Lu nuk i shpëtoi një përplasje me presidentin Meta për Këshillin e Emërimeve në drejtësi. Më pas presidenti Meta do të deklaronte se Lu i kishte kërkuar falje pasi ishte i keq-informuar.
Top Channel