Tre persona, simpatizantë të PD janë proceduar penalisht në gjendje të lirë sepse bllokuan rrugën e administratorit të njësisë Vreshtas mbrëmjen e kaluar.
Policia bën me dije se ata pretendonin se administratori kishte lekë për të blerë vota, por në kontroll nuk u gjet asnjë send komprometues në lidhje me procesin zgjedhor.
Në këtë mënyrë hedh poshtë deklaratën e PD, e cila pak më parë njoftoi se në automjet u gjetën lista e zgjedhësve të fshatit Podgorie, lista e patronazhit të fshatit Podgorie me patronazhist administratorin Çezar Bezati dhe lista e shkruar me dorë me emra banorësh të këtij fshati.
Njoftimi i policisë
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq, filluan procedimin penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasve F. D., 25 vjeç; E. D., 21 vjeç dhe A. G., 54 vjeç, banues në fshatin Podgorie, Maliq (simpatizanë të një subjekti politik).
Këta shtetas në mënyrë të kundërligjshme në fshatin Podgorie, Maliq, i kishin bllokuar rrugën me automjetin e tyre shtetasit Q. B., me detyrë administrator i Njësisë Administrative Vreshtas, Maliq, i cili udhëtonte me mjetin e tij, me pretendimin se në automjet kishte lekë për të blerë vota.
Nga verifikimet e kryera dhe kontrolli i ushtruar nga ana e grupit hetimor dhe shërbimeve të policisë në automjetin e shtetasit Q. B., nuk u gjet asnjë send kompromentues, në lidhje me procesin zgjedhor.
Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Njoftimi i rremë në organet e rendit” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Top Channel