PD vazhdon të ndalojë makinat: Kapën 3 automjete në mesnatë. Ishte edhe kryetari i PS Podgorie me zyrtarin e tatimeve

24/04/2021 10:06

Korçë- Tre makina janë ndaluar në mesnatë nga struktura e mbrojtjes së votës së PD në fshatin Podgorie me rreth 7 punonjës njësie brenda.

Dy prej makinave tip “Mercedes” dhe “Volkswagen”, të cilat drejtoheshin nga Soni Laraku dhe Andi Zaqellari u larguan me forcë, ndërsa makina e tretë e drejtuar nga administratori i Njësisë Administrative Vreshtas, Cezar Bezati dhe shoqërues Gerti Tabaku u bllokua, njofton PD.

Në terren së bashku me ta ishte dhe kryetari i PS të Podgorie dhe njëkohësisht zyrtar i tatimeve Korçë, Izmi Çoçka. Pasi u njoftua Policia, mbërritën forcat e rendit të cilët ushtruan presion për lirimin e rrugës.

Në deklaratën e PD thuhet se përfaqësuesit demokratë insistuan që makina të kontrollohej dhe kjo u arrit në orët e para të mëngjesit të sotëm. Nga kontrolli rezultoi se në makinën e administratorit u gjetën:

-Lista e zgjedhësve të fshatit Podgorie,

-Listë e patronazhit të fshatit Podgorie me patronazhist administratorin Çezar Bezati,

-Listë e shkruar me dorë me emra banorësh të këtij fshati.

PD pretendon se policia refuzon ta bëjë publike dhe ka shoqëruar makinën e administratorit Çezar Bezati dhe shoqëruesin e tij, Gerti Tabaku, të cilët janë liruar. Ndërsa janë shoqëruar për bllokim rruge edhe tre simpatizantë të PD, të cilët janë identifikuar si Ahmet Goroveci, Endrison Dushku dhe Fatjon Dushku.

Top Channel