Fushatë tensionesh në vend, mediat e huaja: Këto gjëra nuk përfytyrohen në Europën Perëndimore

24/04/2021 11:24

Pandemia e bëri këtë të sivjetshmen një fushatë më pak buçitëse se zakonisht, me partitë që preferuan të fokusohen tek takimet e dretëpërdrejta me elektoratin dhe një boom të kanalizimit të saj në rrjetet sociale.

Por ndërsa nisja e saj qe mjaft më normale, fundi u shënjua nga dhuna e përshkallëzimet. Ngjarja e Elbasanit dëshmoi qartë një shpërthim tensionesh të kamufluara, dhe përçoi sinjale që nuk u perceptuan mirë jashtë kufijve.

Konfrontimi i vazhdueshëm në Shqipëri e përplasja e ashpër mes partive kryesore sikur të jenë dy blloqe armiqsh për analistin gjerman, Thomas Brey lidhet me mungesën e kulturës politike. “Bëhet degradimi i kundërshtarit politik, eliminimi si kundërshtar, madje ndoshta edhe sulmi fizik ndaj tij. Këto janë gjëra që nuk përfytyrohen dot në Europën Perëndimore. Kultura politike mungon, sepse politika në vendet e Ballkanit është një biznes, ti mund të bëhesh dikush si person dhe të ecësh përpara me oportunizëm kur hyn në politikë. Kush dëshiron të bëhet dikush edhe në profesion në këto vende duhet të rregullohet me të fuqishmit e t’i mbështesë ata.

Ky nuk është problem tipik i Shqipërisë, por e ndesh kudo në Ballkan”, tha ai për DW. Eskpertja e Ballkanit, Johanna Deimel thekson se Shqipëria ka një ndryshim mjaft të madh në tre dekadat e fundit.

“ Vendi është anëtar i NATO-s, dhe tani, edhe pse me vonesë do të fillojë bisedimet e anëtarësimit, edhe kjo shenjë e ndryshimeve pozitive. Por për fat të keq Shqipëria prej shumë vitesh për shkak të konfrontimit tejet të madh mes dy partive të mëdha është rënduar në mënyrë ekstreme dhe në të njëjtën kohë është frenuar në zhvillimin e saj demokratik dhe të shtetit ligjor”, thotë ajo. Se çfarë presin shqiptarët vetë nga këto zgjedhje, AFP e tregoi përmes disa intervistash të realizuara në Elbasan e Tiranë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA