Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi sot punimet në shkollën e re 9-vjeçare “Mangull” në Petrelë.
Ai tha se prindërit do duan të sjellin fëmijët e tyre në këtë shkollë, e cila është padyshim një ndër më të bukurat në vend. “Është pa dyshim një nga shkollat më të bukura në Republikë. Është bekuar nga një natyrë e jashtëzakonshme, nga kodrat, nga malet, nga Lugina e Erzenit, nga ky gjelbërim i rrethuar me pemë, por mbi të gjitha është rrethuar me dashuri nga të gjithë njerëzit”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku bëri thirrje që çdokush, i majtë, apo i djathtë duhet të votojë për Partinë Socialiste më 25 Prill, për më shumë investime si këto.
“Vazhdo rri i djathtë, por na duhen shkolla si kjo që fëmijët tanë të bëhen akoma më të mirë se ne! Vazhdo rri i djathtë, por le t’i çojmë gjërat përpara bashkë, siç u hap aeroporti i Kukësit, të hapet edhe ai Vlorës e Sarandës! Vazhdo rri i djathtë, por voto Partinë Socialiste që siç është bërë Tirana, të bëhet edhe Durrësi, që me portin e ri do ketë pa fund punësim e të mira edhe për gjithë zonën e Shqipërisë së Mesme! Vazhdo rri i djathtë, nuk ka asnjë problem, por jepja votën Edi Ramës dhe Partisë Socialiste që të bëjmë edhe rrugën e Gurrës, edhe rrugën e Taganit! Vazhdo rri i djathtë, s’ka asnjë problem por jepja votën Edi Ramës dhe numrit 12 që të vijojë vaksinimi për gjithë popullsinë! Vazhdo rri i djathtë, por jepja votën Partisë Socialiste, numrit 12, që të mbarojnë të gjitha shtëpitë në Petrelë dhe kudo ku kemi ende punë për të bërë!” u shpreh Veliaj.
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për gjithë Tiranën tha se nuk ia vlen të kthehemi pas në vjetërsirat e 30 viteve, tek ata që në vend të shkollave të hapin dyert e burgjeve.
Top Channel