Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Durrësi se familjet që do të futen në shtëpitë e rindërtuara pas tërmetit, do të jetojnë në lagje si në mes të Europës. Rama deklaroi se PS nuk ka lënë askënd në qiell të hapur ndërsa shtoi se objektivi i ujit është çështje orësh.
Rama: Vijmë nga dy vite luftë me tërmetin dhe pandeminë. Ka akoma ndërtesa që duhen rindërtuar, ka plot familje të tjera që presin të hyjnë në apartamente të reja, unë ju them që kush i sheh shkollat që ne kemi ndërtuar dhe që janë shkolla që mund ti marrësh dhe vendosësh mes Parisit, janë në standardet më të larta, të gjithë ata që do kthehen në apartamentin e ri nuk do kenë vetëm apartamentin por edhe një lagje ku do jetojnë si në mes të Europës, me rrugët e drejta, me kopshtin, çerdhet, parqet, me të gjithë vend parkimet. Kjo do pak kohë. E di që koha për atë që pret të shkojë në shtëpi i duket një ditë si një vit, por nuk kemi lënë askënd rrugës.
Në sot kemi të gjitha arsyet që të jemi krenarë, sepse sot pas 100 vjetësh rubinetat në Durrës nuk fishkëllejnë kur i hap, por ka ujë në të gjithë territorin. Dritat ishin një problem shumë i madh kur ne morëm detyrën, por tani nuk vuani më.
Top Channel