Analistët Mentor Nazarko dhe Enton Abilekaj kanë komentuar fushatën elektorale në “Top Talk” duke zbuluar nëse fitoi Edi Rama apo Lulzim Basha.

Abilekaj tha se nuk e di nëse ndikon më shumë forma apo përmbajtje, por sipas tij Rama fitoi nga forma, ndërsa Basha ia doli të jetë më i mirë në përmbajtje.

Abilekaj: Është e vështirë ta themi sepse varet nga këndvështrimi. Sipas këndvështrimit tim, nuk e fitoi njeri. Mendoj që Lulzim Basha ndoqi një linjë të mirë pozitiviteti por në një performancë të pakrahasueshme me Edi Ramën në komunikimin me publikun. Shpalosi një program dhe nuk e di sa ka depërtuar tek njerëzit duke qenë e tillë. Ndërsa Rama është politikan populist, di të komunikojë, nuk kishte përmbajtje por në formë ishte i jashtëzakonshëm, pra po t’i marrësh nga forma fitoi Rama, po t’i marrësh nga përmbajtja fitoi Basha.

Ndërsa Nazarko thotë se Rama u fokusua tek vaksinat e tërmeti duke ofruar imazhin e një Shqipërie të re, por bazuar në sondazhe thotë se fushata më e mirë ishte e Bashës pasi kishte rritje në përqindjen e popullaritetit.

Nazarko: Nëse i referohemi indikatorit sasior për efektivitetin e fushatës, ato do të mund të ishin sondazhet e kryera qoftë në fillim qoftë në fund të saj. Kjo do të thotë se të gjithë sondazhet tregojnë se PD ka pasur një rritje në përqindjen e popullaritetit të saj, cka do të thotë se ishte një fushatë më e mirë e Bashës. Në kuptimin e komunikimit të qetë, paqësor, me rininë me grupe të ndryshme, një kapërcim nga stili i vjetër komunikativ, një dalje nga modeli i Bashës jonatyral që merrte pjesë në protesta që tentonin të shpërthenin dyert e kryeministrisë, parlamentit, një Bashë që i ngjante Berishës por ishte artificial në këtë kostum. Rama ndërtoi një narrativë të fokusuar tek vaksinat, tërmeti, ofroi imazhin e një Shqipërie të re për shkak të projekteve të mëdha infrastrukturore që e presin në Durrës, Vlorë e Skavicë.

Top Channel