Fushata përmbyllëse/ Basha nga Tirana: Të dielën sjellim ndryshimin! Fitorja më e madhe dhe më e bukur është ajo e Shqipërisë

23/04/2021 20:39

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka mbyllur fushatën në qytetin e Tiranës mes mijëra qytetarëve të mbledhur në sheshin “Nën Tereza”.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Basha tha se dita e diel është dita e ndryshimit dhe fitores më të bukur, sepse kjo është fitorja e Shqipërisë. Kreu i opozitës gjithashtu tha se nuk është më koha për të qarë, sepse të dielën të gjithë bashkë me votën për numrin 9 do të sjellim fitoren më të madhe në historinë e Shqipërisë.

“Mirëmbrëma vëllezër dhe motra! Mirëmbrëma zonja dhe zotërinj! Mirëmbrëma të rinj dhe të reja! Mirëmbrëma Tirana! Mirëmbrëma Shqipëri! Kjo mbrëmje magjepsëse shënon fundin e një rrugëtimi. Një rrugëtimi që e nisëm bashkë nga ky shesh pak më pak se një muaj më parë e që na ka çuar nga jugu në veri, nga Tropoja në Sarandë, nga Korça në Durrës, cep më cep të Shqipërisë, të një Shqipërie të mbushur me shpresë, të një Shqipërie që po mbushet me gëzimin e fitores që po vjen. Sepse pas 8 vitesh të një rruge tjetër, në çdo fshat dhe qytet, në çdo shtëpi, sipërmarrje dhe fermë, kam parë në sytë e nënave tona, jo më dëshpërimin, jo më lotët por gëzimin për ditën e madhe që po afron. Ditën e fitores së çdo shqiptari, ditën e fitores së demokracisë, ditën e fitores si Shqipëria  si gjithë Europa duke votuar  numrin 9-të.  Boll vëllezër dhe motra sepse ndryshimi është tashmë çështje orësh. Ai është  madhërisht këtu në këtë shesh, në gjokset tuaja, në sytë tuaj, në zërin tuaj, ushton, ushton, ushton, numri  9-të. Për ndryshim, për fitoren e çdo familjeje shqiptare, për fitoren e nënave shqiptare, lotët e të cilave nuk kanë pasur të tharë këto 8 vite të vështira  me fëmijët e larguar në emigracion, me burrat e shpunësuar, me shtëpitë e prishura, pasiguri për të nesërmen, pa rend, pa drejtësi por nënat shqiptare kudo ku i kam takuar, nënat shqiptare që ju shoh këtu në këtë shesh e kanë ngritur kokën sepse kanë shpresë, kanë besim dhe të dielën vjen ndryshimi për ato. Dhe për bashkëshortët e tyre, baballarët tanë të stërmunduar në 8 vite të një dimri pa fund, pa mundësi, pa një derë për të trokitur, pa një fjalë të ngrohtë, pa një dorë pas shpine por vetëm me vuajtje dhe mjerime, vetëm me çmime që rriteshin, vetëm me borxhe ku zhyteshin por i shoh sot, i shoh sytë e baballarëve, i dëgjoj thirrjet e tyre, e dinë, po vjen, nuk ndalet ditën e diel ndryshimi duke votuar numrin 9 dhe për fëmijët tanë, për vogëlushët tanë, për ata për të cilët po e bëjmë këtë betejë, më të madhen betejë, më të madhën betejë për zgjedhjet me praninë dhe masivitetin më të madh në 30 vite, për fitoren më të thellë në 30 vite, për fëmijët tanë, për shqiptarët e vegjël, shqiptarët e Shqipërisë si gjithë Europa, ditën e diel votojmë numrin 9. Është zgjuar shpresa, është zgjuar besimi me të cilin bashkë kemi arritur ëndrrat dikur të paprekshme për këtë Komb. Ju jeni burrat dhe gratë, ju jeni rinia e mrekullueshme e këtij vendi. Unë jam krenar për ju! Kam besim tek ju, sepse bashkë ne kemi ditur të bëjmë gjëra të mëdha, gjëra në dukje të paarritshme e që sot i gëzon çdo shqiptarë. Ne ishim burrat dhe gratë që hoqëm vizat. Ne ishim burrat dhe gratë që lidhëm kombin. Ne ishim burrat dhe gratë që mundësuam zhvillimin. Ne jemi sot këtu, në këtë shesh dhe gjithë ky gëzim, ky ngazëllim, ky shesh magjepsës, është një përgjegjësi e jashtëzakonshme për mua, për ekipin tim të mrekullueshëm. Për t’ju shërbyer dhe për të bërë realitet ëndrrat tuaja, ambiciet tuaja, për ta çuar Shqipërinë përpara, atje ku e meriton, në gjirin e Europës. Asaj të cilës i përket, aty do të jetë. Aty ku e do rinia shqiptare dhe kurrë më plagët e zemrave të nënave nuk do të kullojnë sepse ne jemi këtu, me një zotim, me një vullnet. Ndryshim! Ndryshim! Ndryshim për Shqipërinë! Bashkë për Ndryshim! Votojmë numrin 9 dhe kështu do të bëjmë të mundur arsimimin e të rinjve këtu, në vendin tonë. Punësimin e tyre me dinjitet me investime të huaja që prapë do t’i kthejnë sytë nga vendi i bekuar i bijave dhe i bijve të shqipes! Dhe kështu pra, vëllezër dhe motra, një dimër tetëvjeçar ka dhe dy ditë për ta mbyllur dhe unë e di se Tirana, kjo vulë kryeqytetase e ndryshimit do t’i prijë ditën e diel, pjesëmarrjes masive që në orët e para të mëngjesit. Do t’i prijë me votë fitores më të thellë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Vëllezër dhe motra, për 8 vite me radhë kanë marrë gjithçka. Një grusht njerëzish dhe një njeri i vetëm mbi ta, 8 vite me radhë zhvati dhe grabiti, dinjitetin e përdhosi, sigurinë e kërcënoi, vendit ia mbylli portat e integrimit dhe mendoi se për pak u bë Zot edhe i votës tuaj por kjo nuk është Tirana e tyre.  Kjo nuk është Tirana e Edi Ramës. Kjo është Tirana e tiranasve, e kryeqytetasve, e shqiptarëve. Ky është vendi ynë dhe të Dielën me votën tuaj do ta rimerrni Tiranën, do ta rimerrni Shqipërinë dhe fatin tuaj në duart tuaja duke votuar numrin 9. Bashkë për ndryshim do të thotë që ne do ti japim fund njëherë e mirë arenës së shëmtuar ku shumica dërrmuese e shqiptarëve e varfëruar, e poshtëruar dhe e papunë, këqyrë një pakicë babëzie tek merr pasuritë e vendit, vjedh taksat e vendit dhe varfëron në palcë çdo familje. Do të thotë ti japim fund një arene të konfliktit dhe përçarjes që i shërben vetëm një njeriut atij që për 8 vite me radhë nuk bëri asgjë përveçse u pasurua dhe grumbulloj më shumë pushtet se kushdo tjetër përpara tij këto 30 vite. Ndaj unë e dijë në këtë shesh ushtojnë zërat e demokratëve dhe demokrateve, flamurtarëve të ndryshimit, të qytetareve dhe qytetarëve, mbështetësve, simpatizantëve, por nga ky shesh, nga shtëpitë e tyre e kudo ku ndodhen dua ti them mirë se vini në bashkimin më të madh të shqiptarëve çdo shqiptari, çdo shqiptareje pa dallime politike, sepse dita e diel është dita e çlirimit për të gjithë ju, është dita e çlirimit për qindra-mijëra rrogëtarë gjunjë këputur, gjunjëprerë dhe të dhunuar nga ky shtet që i trajton si skllevër. I ndjej, i dëgjoj akoma zërat e tyre. Jemi me ju, jemi bashkë, më 25 prill vota jonë është për numrin 9. Ejani dhe ju, bëhuni pjesë e bashkimit, nënpunës, mësues, mjekë, punonjës të ndershëm të policisë së shtetit që ju kam takuar përsëri këtë muaj kaq intensivisht në turin tim dhe më keni thënë me fjalë, me sy, me gjeste, na ka ardhur në majë të hundës, ditën e diel shkoni në kutinë e votimit, largojeni me votë të keqen. Bëhuni dhe ju bijtë dhe bijat tanë krenar, shërbëtor të askujt tjetër përveç ligjit dhe Shqipërisë.  Kjo është energjia e ndryshimit! Ky është rrezatimi i njerëzve që e rikthejnë besimin te vetja, tek familja, te vlerat, te shoqëria, te Shqipëria, te fitorja! Ky është zëri, këto janë fytyrat e shoqërisë që ngrihet në këmbë pas 8 viteve të gjata lëngate dhe thotë: “Boll më!” Kjo është Shqipëria jonë! Ditën e diel e rimarrim me votë për të gjithë shqiptarët! Ja pra vëllezër dhe motra, ja si duket, ja si rrezatin shpresa, ja si  rrëzetin besimi se e nesërmja me të vërtetë do ti takojë shqiptarëve, se ndryshimi do të vijë për gjithsecilin prej tyre sepse nuk ka dhe nuk mund të ketë gjë më të shtrenjtë në botë sesa të shkosh  e të votosh për veten tënde, familjen tënde dhe fëmijët e tu dhe ndryshimi i 25 Prillit nuk bëhet për partinë politike ndaj mirë se vini ju qindra, mijëra socialistë të zhgënjyer, bashkohuni me ne, bashkohuni me ndryshimin, bashkohuni me shpresën. Kjo është Shqipëria  e të gjithëve ne dhe do të ketë vend për të gjithë ne, ndaj, ejani votoni numrin 9. Cilin numër? Dhe unë zotohem sot, nga ky shesh i shenjtores së madhe shqiptare se qeveria e dalë pas votës së 25 prillit do të jetë qeveria e të gjithë shqiptarëve dhe se unë do të shërbej si kryeministri i të gjithë shqiptarëve. E di, barrën e rëndë të përgjegjësive që do të kemi pas datës 25. I kemi parë dhe prekur ditë për ditë së bashku rrënimet dhe rrënojat që po lë pas ky dhe 8 vitet e tij hipur mbi shpinën e shqiptarëve. Por e di vëllezër e motra se dita e fitores së thellë do të jetë dhe dita që energjia juaj e pamat të bëjnë të mundur atë që dinë të bëjnë kur jemi bashkë, përparim, zhvillim ekonomik, mirëqenie, paga të larta, e mbi të gjitha hapjen e derës për të shkuar drejt destinit tonë hyjnor, misionit tonë, misionit tim, Shqipërisë anëtar e Bashkimit Europian. Nuk ka fuqi, nuk ka forcë ta ndalë këtë që po vjen. I pandalshëm është ndryshimi, i pandalshëm është besimi juaj tek Shqipëria, i pandalshëm është besimi im tek ju populli i Tiranës dhe i mbarë Shqipërisë. Ndaj ejani, ejani të fillojmë, ditën e diel t’ia kthejmë Shqipërinë shqiptarëve, Tiranën banorëve të saj. Ditën e diel të hapim rrugën e të ardhmes për fëmijët tanë, për prindërit tanë, për vogëlushët e të rinjtë duke votuar numrin 9! Të gjithë në kutitë e votimit! Askush të mos mungojë. Të gjithë aksionerë të fitores dhe të atyre që do të vijnë më pas. Rinia e Tiranës priju ndryshimit. Rinia e Shqipërisë ju jeni ata që i dhanë zemër kësaj fushate, ju jeni ata që rindezët shpresën në sytë e nënave tuaja, ju jeni ata që po i prini fitores më të thellë dhe më të madhe. Dhe fitorja para të gjithëve do të jetë e juaja rini e mrekullueshme e kombit tim. Muzgu dhe mbrëmja kanë rënë mbi këtë shesh. Edhe 4 orë fushatë. Edhe 2 dit e 4 orë për tu ndarë nga e keqa. Edhe 2 dit e 4 orë për ta derdhur këtë besim, këtë ngazëllim, këtë shpresë në kutitë e votimit. Tirana, Shqipëria, ditën e diel për ndryshimin voton numrin 9. Për punën dhe mirëqenien voton numrin 9. Për jetën dhe sigurinë voton numrin 9. Për të ardhmen, për Shqipërinë si gjithë Europa. Ejani pra miq le ta derdhim këtë burim drite dhe shprese si qytetarë, paqësisht, denjësisht, por të vendosur deri në fund që bashkimi më i madh i shqiptarëve në 30 vite të shndërrohet në fitoren më të thellë, ashtu siç do të jetë e diela, e diela e bekuar e fitores, e diela e bekuar e shqiptarëve duke votuar numrin 9! Bashkë për ndryshim! Tirana fiton! Shqipëria fiton!”, tha Basha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA