Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës shokuese të kandidatit të PD-së, Xhelal Mziu se nëse persona të caktuar do tentonin të blinin votën do përfundonin si Pjerin Xhuvani, në Elbasan dhe me të do merreshin vetë strukturat e PD-së të ngritura posaçërisht për mbrojtjen e votës.
Një postim në facebook, Rama thotë se ndjesa e Mziut, të cilën e bëri pak orë më parë nuk vlen, ndërsa theksoi se qytetarët shqiptarë “duhet t’u tregojnë këtyre gangove me kravata dhe atyre që janë armatosur për të sjellë ndryshimin së prapthi në Shqipëri, se Shqipëria dhe shqiptarët nuk kthehen më mbrapsht!”
Ai e quajti Mziun ‘troglodit’, që sipas Fjalorit të Gjuhën Shqipe do të thotë person që jeton në shpellë, njeriu primitive i Kohës së Gurit.
Kryeministri Rama në Facebook:
Ndjesa e këtij trogloditi nuk vlen asnjë qindarkë! Ky është një subjekt i vetëdeklaruar i drejtësisë penale, ndërsa kjo soj politike duhet të jetë subjekt i drejtësisë popullore në 25 prill! Kush vjen në pushtet duke vrarë, dhunuar e kërcënuar edhe pushtetin e ushtron duke vrarë, dhunuar e kërcënuar!
Populli duhet t’u tregojë këtyre gangove me kravata dhe atyre që janë armatosur për të sjellë ndryshimin së prapthi në Shqipëri, se Shqipëria dhe shqiptarët nuk kthehen më mbrapsht! Në 25 prill votohet për fëmijët që s’kanë të drejtë vote, por që asnjë borxh nuk u kanë prindërve të tyre kthimin e reve të zeza të së shkuarës mbi kokat e tyre!
Shqiptarë e shqiptare kudo që jeni! Tregojeni me votën tuaj, forcën e madhe të karakterit që Shqipëria kërkon sot prej të gjithë ne, në rrugën drejt majës ku duhet të vazhdojmë të ngjitemi, për ta bërë Shqipërinë zonjën që Zoti deshi, kur i fali bujarisht bukuritë e saj përrallore
Kandidati për deputet i PD-së në Dibër, Xhelal Mziu doli dhe kërkoi falje për deklaratën e tij duke theksuar se ai mbështet zgjedhjet e lira dhe të ndershme, edhe se është kundër dhunës.
“Jam penduar thellë për komentin tim dhe kërkoj ndjesë para gjithë shqiptarëve”, tha i ndër të tjera. Policia vendosi të procedojë penalisht Xhelal Mziun dhe të dërgojë materialet hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprën penale “Thirrjet për armatosje ose marrje të padrejtë të komandës”.
Top Channel