Veliaj inspekton punimet te Piramida: Do të jetë shkolla më e madhe e Teknologjisë e Informacionit në Ballkan

22/04/2021 11:02

Piramida e Tiranës po transformohet në qendrën më të madhe të teknologjisë së informacionit, që do të mirëpresë mijëra të rinj për të mësuar gjuhën e kodimit, robotikë, design dhe programim, me mbështetjen e “Fondit të Zhvillimit Shqiptaro-Amerikan”, thotë kryebashkiaku Veliaj.

Ai shton se kjo qendër do të quhet “TUMO”, njësoj si qendrat e ngjashme në Paris apo Berlin, do të jetë më e madhja e këtij lloji në Ballkan”. “Nga një shtëpi e shtypjes dhe e diktaturës, po kthehet në një shtëpi të lirisë, jo vetëm të kufijve fizikë, por edhe të kufijve digjitalë. Do të jetë shkolla më e madhe në Ballkan për Teknologjinë e Informacionit. Më vjen mirë që vitin tjetër, që kur Tirana do të jetë edhe ‘Kryeqyteti Europian i Rinisë’, do të kemi një qendër digjitale, ndoshta nga më të mirat në Evropë, po e sigurt në Ballkan”.

Veliaj foli më shumë për realizimin e këtij projekti, i cili nisi me prishjen e shtesave në ndërtesën origjinale të piramidës. “Në këtë fazë kemi bërë çmontimin e sajesave të shtuara ndër vite, e pasi ta kthejmë në skeletin origjinal, do të fillojmë me krijimin e klasave të TUMO-s. Vetëm duke qëndruar të fokusuar iu shkojmë punëve deri në fund dhe sikurse është shprehja jonë, s’ka kohë për pushim, ne do rikuperojmë gjithë kohën e humbur për të dalë faqebardhë e kryelartë dhe për t’iu thënë fëmijëve të qytetit, ëndrrën që vizatuam para disa ditësh e kthyem fillimisht në projekt e tani nga projekt në zbatim, për ta hapur si shkollën më të madhe të Republikës, por edhe të Ballkanit për Teknologjinë e Informacionit“.

Piramida pritet të shërbejë për bizneset në fushën e inovacionit, artit dhe kreativitetit. Programet që do të ofrohen janë: animacion, zhvillimi i lojërave, kinematografia, web design, muzikë, shkrim, vizatim, dizajn grafik, modelimi 3D, programim, robotikë, grafika e lëvizjes, fotografi dhe media e re.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA