Shteti gjerman i sheh të rrezikshme dhe joreale, idetë për ndryshime kufijsh në Ballkan.
Kryediplomati gjerman, Heiko Maas pas vizitës zyrtare në Prishtinë gjatë së enjtes, ka thënë se nuk e di nëse ka projekte për bashkim të Kosovës me Shqipërinë e të Republikës Serbe në Bosnje me Serbinë, por se këto ide duhet të futen në sirtar.
Maas ndan të njëjtin mendim me SHBA-të, se Kosova dhe Serbia duhet të përfundojnë konfliktin duke bërë kompromise që sjellin njohje reciproke.
Në anën tjetër, Presidentja Osmani është shprehur se dialogut i duhet edhe një rifillim.
“Nuk e di nëse ka projekte të tilla. Qeveria gjermane i refuzon fuqishëm ato sepse një zgjidhje e tillë nuk çon në zgjidhje të problemeve. E konsiderojmë të rrezikshëm edhe vetëm diskutimin që bëhet për këtë çështje. Natyrisht që njohja e Kosovës do të jetë një nga elementet e zgjidhjes, përndryshe s’do të realizohet. Është normale që në dialogjet për normalizim, duhet të ketë dhe ka kompromise”, ka thënë Maas.
Osmani ka shprehur shqetësimet për ndikimin rus në rajon përmes furnizimit me vaksina dhe mungesën e liberalizimit të vizave për kosovarët.
“Sa më shumë që BE përkrah rajonin tonë në procesin e integrimit evropian aq më shumë largohet ndikimi rus. Prandaj është kaq e rëndësishme që BE-ja ta mbaj fjalën për liberalizimin e vizave”, ka thënë Osmani.
“Është e qartë që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim dhe se ai duhet të jepet. S’është çështje vetëm e përmbushjes së kritereve, por edhe e asaj që BE-ja t’i përmbahet premtimit të dhënë. Ne gjatë presidencës sonë e kemi vënë këtë çështje në krye të agjendës sonë të BE-së.”, ka thënë Maas.
Ata janë pajtuar edhe për rritjen e bashkëpunimit për procesin e vaksinimit në Ballkanin Perëndimor dhe ndihmën financiare ekonomike nga BE me qëllim të rimëkëmbjes së rajonit.
Pas Prishtinës, Maas vizitën do ta vazhdojë në Beograd.
Top Channel