Borussia e Dortmundit ndoqi hapin e Frankfurtit dhe Wolfsburgut duke ruajtur ato pak shanse që ka për një vend në zonën Champions për sezonin e ardhshëm.

Në Signal Iduna Park, verdhezinjtë e Edin Terzic mposhtën me rezultatin e pastër 2-0 Union Berlin në një ndeshje të dominuar nga Dortmundi, sukses që e ngjiti Borussian në kuotën e 52 pikëve, 4 më pak se Frankfurti i vendit të 4-t.

Pas 25 minutash lojë Dortmundi fitoi një 11-metërsh me Marco Reus, penallti të cilën Haaland e shpërdoroi, por edhe pse portieri i Union Berlin Luthe e ndali në dy tentativa sulmuesin norvegjez nuk mund të bënte asgjë në goditjen e Reus që rezultoi e treta e vërteta për Dortmundin me kapitenin që i dha avantazhin skuadrës së tij.

Verdhezinjtë e menaxhuan mirë avantazhin dhe kërkuan golin e dytë me qetësi, gol të cilin e gjetën shumë vonë pikërisht në minutën e 88-të me anësorin portugez Raphael Guerriero i shërbyer nga Julian Brandt. Mungoi në këtë sfidë goli i Haaland por paraqitja e norvegjezit ishte për t’u vlerësuar.

Top Channel