Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike pezullon të drejtën e votimit të regjimit të Asadit në Siri

21/04/2021 16:26

Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW), në kuadër të Marrëveshjes për Armët Kimike, pezulloi disa të drejta dhe përjashtime, përfshirë të drejtën e votimit të regjimit të Bashar al-Asadit në Siri.

Me një vendim të marrë në mbledhjen e shteteve palë të OPCW-së u pezulluan disa të drejta ndaj Sirisë pasi u përcaktua që forcat e regjimit të Bashar al-Asadit në vend kanë përdorur armë kimike në muajin mars 2017 në Latamne dhe në shkurt 2018 në Saraqib.

Delegacioni i Britanisë në OPCW në një deklaratë nga llogaria në Twitter tha: “Janë pezulluar të drejtat e votës dhe përfshirjes në detyrat e përfaqësimit derisa Siria të përmbushë përgjegjësitë në kuadër të marrëveshjes”.

Projektligji nën udhëheqjen e Francës u mbështet nga 46 vende dhe përfshin pezullimin e së drejtës së votës dhe të drejtave dhe përjashtimeve në OPCW për regjimin e Asadit në Siri.

Në vendim kanë votuar “pro” 87 vende, “kundër” 15 vende dhe 34 të tjera kanë abstenuar.

Delegacionet e Zvicrës, Holandës, Kanadasë, Francës, Britanisë, Çekisë, Estonisë dhe Sllovenisë nga Twitter-i kanë bërë deklarata mbështetëse ndaj vendimit.

Vendimi është sanksioni më i rëndë që OPCW ka marrë deri më tani kundër ndonjë vendi.

Pas vendimit, delegatët e regjimit të Asadit dhe Rusisë akuzuan shtetet perëndimore për “politizimin” e OPCW-së.

Takimi i shteteve palë të OPCW-së, i cili ka filluar sot, do të vazhdojë për tri ditë.

Regjimi i Asadit ka përdorur armë kimike

Në raportin e parë që publikoi në prill të vitit 2020, OPCW deklaroi se 16 persona u plagosën, tokat bujqësore u dëmtuan dhe bagëtitë e popullatës së rajonit ngordhën në sulmin ajror që një avion SU-22 i regjimit sirian kreu më 24 mars 2017 në rajonin Latamne pas ngritjes nga baza ajrore Shayrat.

Në raportin e dytë të publikuar me 12 prill, OPCW theksoi se forcat ajrore të lidhura me regjimin e Asadit kanë përdorur të paktën një bombë cilindër në sulmin ajror që kanë kryer në Saraqib më 4 shkurt 2018.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA