Në NBA u zhvilluan 8 takime në mbrëmjen e radhës, ku nuk munguan emocionet që ofron kampionati më spektakolar i basketbollit në planet. Fitore në frymën e fundit për Miami Heat, që pas tri humbjeve radhazi triumfuan 109-107 ndaj Brooklyn Nets.

Vendimtar me koshin e fundit, para rënies së sirenës, Bam Adebayo, që rezultoi gjithashtu shënuesi më i mirë për të zotët e shtëpisë me 21 pikë, pa harruar dhe 11 “rebound”. Nets-at ishin të detyrar të hiqnin dorë nga shërbimet e Kevin Durant pas vetëm katër minutave lojë, për shkak të një dëmtimi në kofshë.

Sigurojnë fitoren e gjashtë radhazi New York Knicks, që iu imponuan me rezultatin 122-112 New Orleans Pelicans. Protagonist i takimit i zakonshmi Julius Randle, këtë herë me 33 pikë dhe 10 asiste, megjithatë nuk duhet anashkaluar ndihma e vyer që dha me 23 pikë Derrick Rose. Ndërkohë për Pelicans nuk mjaftuan 34 pikët e Zion Williamson.

Humbje e shëmtuar e Dallas Mavericks, që u dorëzuan përballë Sacramento Kings me rezultatin 107-121. Kalifornianët, të cilët shkonin në këtë përballje pas një serie negative prej 9 humbjesh radhazi, u udhëhoqën nga De’Aaron Fox, autor i 30 pikëve dhe 12 “rebound”, duke zhvlerësuar paraqitjen Luka Doncicit, që e mbylli përballjen me plot 37 pikë.,

Gjithçka e lehtë për Los Angeles Clippers, që mposhtën Minnesota Timberwolves 124-105. Për kaliforniaët më i miri mbi parket rezultoi Paul George me 23 pikë, të njëjtën kuotë pikësh realizoi nga ana tjetër edhe Edwards, por që shërbyen vetëm për statistikë.

Toronto Raptors koleksionuan fitoren e tretë radhazi, duke mposhtur Oklahoma City Thunder 112-106. Pavarësisht mungesave të shumta, kanadezët morën një sukses tjetër të rëndësishëm falë një super Chris Boucher, që realizoi “double-double”: 31 pikë dhe 11 “rebound”, ndërsa 29 pikët e Luguentz Dort nuk mundën ta shmangin humbjen e 10-të radhazi të Thunder.

Rezultatet:

Atlanta-Indiana 129-117

New York-New Orleans 122-112

Miami-Brooklyn 109-107

Charlotte-Portland 109-101

Orlando-Houston 110-114

Toronto-Oklahoma 112-106

Dallas-Sacramento 107-121

LA Clippers-Minnesota 124-105

Top Channel