Joe Biden e tregoi edhe një herë mbështetjen e SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe atë që është synimi kryesor i kësaj nismës, arritjen e një marrëveshjeje gjithpërfshirëse e cila do të kishte në fokus njohjen reciproke.
“SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për sigurimin e paqes së qëndrueshme dhe dialogut produktiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përfundimisht marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim, e cila besojmë se do të duhej të përqendrohej në njohjen reciproke”, thuhet në një letër të cilën shefi i Shtëpisë së Bardhë i ka dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në të cilën e uron atë për zgjedhjen në këtë pozitë.
Biden thekson aty se partneriteti mes dy vendeve është i rrënjosur në vlera të përbashkëta, dhe se do të punojë me Osmanin në prioritetet që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe bashkësive fetare, rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë Covid 19, zhvillimin ekonomik si dhe sigurimin e të ardhmes së qëndrueshme energjetike. Në njoftimin e zyrës së presidentes së Kosovës përmendet edhe fakti që ajo ka kërkuar nga SHBA-ja ndihmë me vaksina. Përgjigja që mori ishte pozitive.
Biden tha se, “me shtimin e sasisë së vaksinave, SHBA-të do të punojnë me partnerët për shpërndarjen e tyre dhe se ekipi i tij do të jetë ne kontakt me Presidenten Osmani për realizimin e synimit të tillë”. Kreu i shtetit amerikan nuk la pa përmendur edhe raportin personal të familjes së tij me Kosovën ndërsa përmendi të birin, Beau, i cili ka shërbyer në Kosovë në kuadër të forcave paqeruajtëse amerikane.
Top Channel