Sot në “Ftesë në 5” me Bieta Sulon ishte pjesë e programit Vera Ora, mamaja e këngëtares së njohur shqiptare, Rita Ora.

Ajo kujtoi fillimin e viteve ‘90, kohë kur vendosi të udhëtonte bashkë me dy vajzat në Londër, për t’u bashkuar me të shoqin.

“Problemi më i madh kur arrita atje ishte gjuha, se flisja pak anglisht. Në fillim s’ punova, qëndrova me vajzat dhe jam e lumtur për këtë”, tha ndër të tjera ajo.

Teksa Bieta e pyeti se ç’ ndodh në familjen e tyre, Vera pohoi se kanë një jetë normale si gjithë të tjerët.

“Rita është superstar siç është çdokush në punën e tij, por në familje s’ ka dallime. Ajo e di që duhet t’i lajë enët”, tha Vera me humor.

Vetëm pak minuta më pas nuk mungoi një video ekskluzive nga vetë Rita, e cila përshëndeti në shqip dhe i shprehu dashurinë së ëmës.

“Përshëndetje mami.

Surprizë.

Me ka marrë malli shumë.

Doja t’ju dërgoj një video për t’iu  treguar marrëdhënien time me mamin dhe gjithçka kam mësuar prej saj.

S’di nga t’ia filloj por për mua janë etika në punë, vendosmëria dhe vetëbesimi.

Faleminderit mami për besimin qe ke pasur gjithmonë tek unë.

Te dua shumë dhe zoti të bekoftë.

Mirupafshim”, ishin këto fjalët e këngëtares me famë ndërkombëtare.

Top Channel