Sondazhi i Vlorës- PS 8 mandate, PD 4/ Shkodër, PD 7 mandate, PS 3 dhe PSD 1. LSI, asnjë deputet në të dy Qarqet

15/04/2021 00:58

Top Channel dhe kompani e sondazheve Ipsos prezantuan sondazhet e kryera në qarkun Shkodër dhe Vlorë të zhvilluar nga data 8 deri në 12 prill. Sondazhi u paraqit në emisionin Open.

Në të dyja qarqet janë pyetur 1003 persona në Shkodër dhe 1004 në Vlorë për të ndërtuar të dhënat që nxjerrin edhe rezultatet e ndarjes së mandateve. Por le të shikojmë në fillim gjetjet e sondazhit . Në Shkodër të anketuarit mendojnë në shumicë prej 49 përqind se Shqipëria po ecën në drejtimin e gabuar dhe vetëm 42 përqind thonë se është drejtimi i duhur.

Ndërkohë votuesit në qarkun e Shkodrës në krye të shqetësimeve të tyre me 44 pikë kanë papunësinë, më pas është ekonomia dhe kriza ndërsa në vendin e tretë, pandemia dhe shëndetësia. Kjo është tabela që tregon se cilat janë shqetësimet kryesore të votuesve në Shkodër. Të pyetur se nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin këtë të dielë, për cilën parti do të votonin, 56,9 përqind thonë se do votojnë Partinë Demokratike. 29.4 përqind për Partinë Socialiste dhe në vend të tretë me 7.5 përqind për Partinë Socialdemokrate.

Lëvizja Socialiste për Integrim merr 2.1 përqind, Lëvizja për ndryshim e Topallit 1.8 përqind. Ndërkohë mandatet do të ndahen 7 për Partinë Demokratike, 3 për Partinë Socialiste dhe një për Socialdemokratët. Sipas sondazhit Tom Doshi e fiton mandatin sërish, njësoj si në zgjedhjet e 2017 ndërsa Agron Çela i LSI nuk arrin ta marrë mandatin e deputetit. Socialistët humbin një mandat në krahasim me 2017 ndërsa demokratët rriten me dy mandate.

Shkojmë në qarkun e Vlorës, që njihet si bastion i socialistëve. Në këtë qark 56 përqind e zgjedhësve mendojnë së Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur dhe vetëm 35 përqind mendojnë të kundërtën. Ndërkohë pyetjes se nëse zgjedhjet do mbaheshin të dielën kë do votonit. 60.1 përqind e votuesve përgjigjen për Partinë Socialiste, 32.1 përqind për Partinë Demokratike dhe 4 përqind për LSI.

Ndërkohë këto vota kur përkthehen në mandate shkojnë 8 për Partinë Socialiste, po aq sa në vitin 2017, 4 për PD një më shumë se në vitin 2017 dhe asnjë për LSI ndryshe nga zgjedhjet e kaluara kur LSI kishte një mandat.

Top Channel