Plot 11 fitore radhazi dhe po kaq pikë avantazh ndaj Milanit të vendit të dytë e kanë bërë Interin të “udhëtojë” i qetë drejt titullit kampion i cili matematikisht është vetëm 13 pikë larg, teksa kanë mbetur edhe 8 javë për t’u luajtur deri në fund.

Një nga protagonistët e suksesit të zikaltërve është padyshim edhe mbrojtësi sllovak Milan Skriniar, i cili ishte me valixhet gati në stator, por qëndroi dhe u shndërrua në titullar të padiskutueshëm i formacionit të Contes.

Në një intervistë të dhënë për mediat italiane, Skriniar pranon se nuk e kishte menduar ndonjëherë këtë shkëputje kaq të madhe, megjithatë thekson se me Conten nuk bëhen llogari, pasi synohet përmirësimi i vazhdueshëm. “Të jem i sinqertë nuk e kishim menduar këtë shkëputje, kur kanë mbetur edhe 8 javë nga fundi. Megjithatë me Conten nuk ka llogari, pasi ai na kërkon vazhdimisht të punojmë dhe të përmirësohemi, pavarësisht kush është kundërshtari, ndërsa titulli është i mirëpritur sa më shpejt të vijë”, deklaroi sllovaku.

Mbrojtja është një nga pikat më të forta të zikaltërve, pasi në 30 ndeshje ka pësuar vetëm 27 gola, ndërsa sllovaku pranon se për këtë ka meritë i gjithë ekipi, jo vetëm treshja e repartit të prapavijës. “Për të garantuar një mbrojtje solide nuk mjafton vetëm puna e ne të treve që luajmë mbrapa, por e të gjithë ekipit. Të gjithë bëjnë punën e tyre në fushë dhe për ne është e rëndësishme që kemi lojtarë të zotë të mbajnë topin e të nxjerrin skuadrën përpara”, u shpreh Skriniar.

Një nga lojtarët që vuajti jo pak ambientimin në Milano, ishte edhe danezi Christian Eriksen, i cili tashmë është shndërruar në një titullar fiks në formacion, ndërsa Skriniar zbulon se të gjithë besonin te fantazisti. “Të gjithë ia dinim cilësitë dhe ishim të bindur që pas një periudhe ambientimi, do të arrinte të shprehej mirë në fushë. Tani ai kupton gjithçka, komunikon vazhdimisht me trajnerin, stafin dhe shokët e skuadrës, dhe po arrin të tregojë aftësitë e tij. Do të na japë një dorë si në fazën sulmuese, ashtu edhe atë mbrojtëse”, tha mbrojtësi zikaltër.

Top Channel