Rama: Ose votoni Lulin dhe prisni që lekët t’ju bien nga qielli ose PS-në dhe të bëheni sipërmarrës

15/04/2021 12:26

Kryeministri Edi Rama nga Kamza tha se në 25 prill, shqiptarët kanë 2 opsione për të votuar, ose “për të marrë lekë duke ndenjur” dhe këtu thotë se i referohet premtimit të PD-së, ose të bëhen sipërmarrës.

“Në 25 prill ka 2 rrugë, ose përsëri mbrapsht duke shkuar mbas ofertës: lekë lekë, ose përpara, punë, punë, punë. Dje isha në Dibër dhe kalova nga aksi i ri që tanimë është lidhur dhe shumë shpejt do të jetë rrugë e kalueshme për të gjithë, Rruga e Arbrit, ajo që ju them këtu është se rruga e Arbrit nuk është e rëndësishme vetëm për ata të cilët jetojnë atje apo ata të cilët do të shkojnë atje, apo për turistët, por për të gjitha ato familje dibrane që janë këtu, sepse familjet dibrane kanë ardhur këtu kanë ndërtuar shtëpitë por atje kanë tokën e shtëpinë e gjyshit, sot është dita për të menduar si do bëhet shtëpia e gjyshit burim të ardhurash. Duke i transformuar ato shtëpi në atë tokë plot histori, në bujtina që krijojnë punë për njerëzit atje dhe të ardhura për njerëzit këtu. Shumë djem e vajza nga Dibra, këtu, të cilët mendojnë se do mbarojnë shkollën ca do bëjnë, kanë dy rrugë, ose të votojnë për Lulin e të presin të marrin lekë e të rrinë duke menduar se jeta është qef ose të fillojnë të mendojnë bashkë me babën e nonën si mund të jenë këta brezi i ri ata të cilët do të shkojnë te shtëpia e gjyshërve të tu dhe do të bëhen sipërmarrës me ndihmën dhe mbështetjen tonë, që ato dyer të mbyllura të rihapen për të sjellë këtu fitime nga puna atje, jo nga qielli”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri tha se në mandatin pasardhës PS do të hapi porta të reja për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai shton se ata kanë trefishuar hotelet në Shqipëri, por ende ka shumë përpara për të bërë.

“Më thonë, kjo puna e aeroporteve është çmenduri, si mund të ketë 4 aeroporte. Po Kroacia? Ka 9 aeroporte dhe 4 milionë banorë, e 7 në botë për turizëm dhe është ajo që është sepse është kampione në turizëm sepse krijon punë për të gjithë brezat dhe përmes të ardhurave nga turizmit rrit mirëqenien. Ne në këtë mandat do të hapim porta të reja për Shqipërinë, nga deti dhe nga qielli. Aeroporti i Kukësit është gati. Nuk janë premtime por informacion për ju, për plane pune, procese që janë nisur.Ne kemi trefishuar hotelet në Shqipëri, por është ende shumë pak. Shqipëria, të cilës zotit i ka falur gjithçka që njerëzit e vet ta kenë diellin me vete, por robi nuk e ka lënë të ngrejë kokën, me Xhaferajt”, shton më tej Rama.

Turma mbështetëse e Partisë Socialiste gjatë gjithë fjalës së Ramës brohoriste vetëm fjalët: “Fitore, Fitore”. Ndërkohë që, Kryeministri i ndali për një moment duke thënë se fitorja nuk diskutohet për Partinë Socialiste!

“E di fitoren e di, se nuk diskutohet, por më lini ta nxjerr ky mendim për t’ju thënë se për çfarë është fitorja. Është për të gjitha gratë dhe vajzat që sot janë shumë më pranë jetës sociale, po ehu ku e ku duhet të jenë. Grave dhe vajzave ju duhet një fitore që shkon përtej pandemisë, politikës, partive dhe shkon në atë drejtim ku ato shohin çdo mëngjes kur hapin sytë e deri sa mbyllin sytë në darkë”, tha Kryeministri.

Top Channel