Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 5 të arrestuarit për vjedhjen e një vile në zonën e Saukut.

Pesë grabitësit që janë lënë në burg janë:

Dorjan Lamani (Qirjazi), 38 vjeç, banues në Sarandë, i dënuar më parë për “Kultivim të bimëve narkotike”;

Klodian Çypi, 34 vjeç, banues në Derven, Fushë Krujë, i dënuar më parë për “Kultivim të bimëve narkotike”;

Halil Topalli, 29 vjeç, banues në Tapizë, Fushë Krujë, i dënuar më parë për “Kanosja” dhe “Kundërshtimi i punonjësve të Policisë”;

Redian Begaj, 32 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar me parë për “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Moskallëzim krimi”;

Dajvid Dosti, 21 vjeç, banues në Poliçan, Skrapar.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datën 12.04.2021, janë kapur në flagrancë menjëherë pas kryerjes së vjedhjes së një banese në kompleksin e vilave pas qendrës tregtare “TEG”, ku kanë marrë një shumë të konsiderueshme në euro, bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë.

Më parë, gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha siguroi dosjen e 5 grabitësve në Tiranë, të arrestuar para 2 ditëve, mes të cilëve ishte dhe famëkeqi Hektor Qirjazi, i njohur ndryshe me emrin Dorian Llamani.

Një prej personave të arrestuar për vjedhjet është Dajvid Dosti, i cili ka zbuluar se njohjen me Qirjazin e pati në Skrapar dhe më pas komunikuan në “Messenger” për tu takuar në Tiranë, ku i bëri edhe ofertën për të bërë vjedhjen e një vile në zonën e Saukut.

Dosti ka shpjeguar se njihet me Dorjanin prej rreth 6-7 muajsh pasi ka ardhur në Skrapar se ka njerëzit e tij. Me Dorin ka pirë cigare dhe aty janë njohur dhe kanë bërë muhabet të përgjithshëm. Komunikimi i parë ka qenë para vitit të Ri dhe më pas ka ardhur në Tiranë ku janë takuar në zonën e Astirit.

Më 10 Prill, Dorjan Qirjazi e ka marrë në “Messenger” dhe i ka kërkuar që të vijë në Tiranë pasi po ndërronte shtëpinë dhe donte ta ndihmonte në transportimin e plaçkave. Dosti ka ardhur në Tiranë në datë 11 Prill dhe janë takuar për kafe në zonën e Astirit ku Dorjani i tha që të shkonin në banesën e tij për të ndërruar plaçkat e shtëpisë.

“Më datë 12, e ka marrë sërish në Meesenger duke i thënë “që duhej të takoheshim” dhe janë takuar reth orës 10.30 në një lokal në Astir. Gjatë kësaj kohë ai i tha që “ishte një punë dhe nëse unë e bëja dot ose jo”, ai më tha se “ishte një shtëpi te Tegu dhe se do ta vjedhim”, unë i thashë se “do e bëj”, ai më tha “ok.”

Gjatë kësaj kohe, nëpërmjet telefonit të tij i ka treguar banesën që do të vidhnim, ai i ka treguar nëpërmjet “Google Maps” banesën që do të vidhnim pra nëpërmjet hartës. Dorjani i ka thënë që “në këtë banesë nuk kishte njeri dhe se personat që banonin ishin në punë”, gjithashtu i ka thënë “ik se nuk do dalësh bosh atje”. Gjithashtu kanë folur për ndarjen e asaj që do merrnin, ku pjesën më të madhe do e kishte Dorjani dhe pjesën tjetër do e merrte Qirjazi.

Me një krik dore dhe kaçavidë të madhe arrinin të hapnin dyert ndërsa mbanin radio marrëse dhënëse për të ndihmuar njëri-tjetrin nëse hasnin vështirësi në hapjen e tyre. Pas kësaj do të takoheshin në shtëpinë e tij në zonën e Astirit për të ndarë lekët”, thuhet në dosjen hetimore të siguruar nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha.

Ata u takuan rreth orës 12:30 dhe Dorjani doli me shokët nga një kafene dhe do të shkonin në vendin ku do të kryente vjedhjen e banesës. Dorjani nuk ishte me ta, por do të shkonte më pas.

Si u krye vjedhja

“Kapërceva murin e shtëpisë dhe kam hyrë në oborrin e banesës dhe kam marrë drejtimin për nga dera e ballkonit të kësaj banese e cila ishte e hapur fare. Menjëherë kam hyrë brenda dhe kam kontrolluar nëpër shtëpi ku nuk kishte asnjë banor. Pasi kam kontrolluar te njëra nga dhomat e gjumit të katit të parë, kam gjetur një kasafortë e cila ishte e mbyllur, e kam hapur me kaçavidë dhe kriko dhe kam qëndruar rreth një orë për ta hapur se ishte me kod. Aty mora 4 pako me euro, bizhuteri, ndërsa në një dhomë mora telefon Samsung, një palë vëthë, IPAD dhe lojë fëmijës”, thuhet në dëshminë e Dostit në dosjen e siguruar nga gazetarja Anila Hoxha.

Në vazhdimësi të veprimeve hetimore, janë kryer disa kontrolle të banesave të personave të arrestuar. Ndërkohë është marrë në deklarim Asllan Hafuzi, i cili ka qenë duke punuar si taksi në vendin e caktuar dhe të licencuar nga Bashkia Tiranë, konkretisht te qendra tregtare “TEG”. Ka qenë në radhë duke pritur për pasagjer në kohën që një person i seksit mashkull është afruar te taksia dhe ka kërkuar për t’i shërbyer në zonën e “Astirit”. Në momentin që pasagjeri ka hipur në taksi nga ana e drejtuesit të mjetit, Asllan Hafizi është ndezur dhe taksimetri.

Pasi ka filluar lëvizjen me mjet, i është bllokuar lëvizja nga dy mjete të tjera, ka ndaluar qarkullimit dhe nga dy mjetet e tjera kanë dalë disa persona të armatosur të cilët janë prezantuar si punonjës të policisë. Është bërë prangosja e personit që ishte pasagjer. Është kontrolluar mjeti dhe nuk është gjetur asgjë e kundra ligjshme.

Drejtuesi Hafizi ka deklaruar se nuk kishte dijeni çfarë kishte bërë personi që kërkoi shërbimin taksi si dhe nuk e kishte parë herë tjetër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA