Basha në njësinë 4 në Tiranë: Padurimin për ndryshim e ndjej kudo

15/04/2021 22:14

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka përmbyllur turin e takimeve me qytetarët në Tiranë, në njësinë 4.

I shoqëruar nga entuziazmi i banorëve dhe simpatizantëve të shumtë, lideri i opozitës është ndalur nga njё socialist i zhgënjyer nga qeveria që i bashkohet Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit.

Qytetari: Jam i majtë, këtë herë do ta jap votën.

Lulzim Basha: Partisë Demokratike?

Qytetari: Partisë Demokratike. E dyta, e kam kemp-in 95 mijë lekë dhe ma ka bërë ky 65 mijë lekë. Kam dy jetimë në shtëpi.

Lulzim Basha: Të gjithë njerëzit e dinë mirë se e vetmja mënyrë për të ndryshuar është ta largojmë këtë qeveri duke votuar numrin 9.

Qytetari: Patjetër!

Lulzim Basha: Kështu që ju bëj thirrje dhe ju dhe fëmijëve me datë 25 numrin 9.

Në fjalën e tij para banorëve të njësisë 4, Basha tha se vendimi për ndryshim, është vendimi më i madh i cili ka kapërcyer kufijtë e përkatësive politike. Kreu i opozitës përsëriti se Rama e ka pranuar humbjen pasi në dëshpërim e sipër kërkon të bëhet pjesë e qeverisjes së Aleancës për ndryshim.

Mirëmbrëma vëllezër dhe motra! Mirëmbrëma zonja dhe zotërinj! Mirëmbrëma ju të rinj dhe të reja! Një ditë e nisur plotë me energji dhe ja mbrëmja ka rënë, por energjia vazhdon të rritet! Vendimi për ndryshim, vendimi për ndryshim, është vendimi më i madh i cili ka kapërcyer kufijtë e përkatësive politike. Ja tek i ka bashkuar qytetarët në këtë orë të vonë të mbrëmjes, rrugët e kryeqytetit janë plotë. Por më thonë plotë kanë qenë gjatë ditës me shqiptarët e bashkuar dhe të paduruarve për 25 prillin sepse 25 prilli është dita e juaj. E ndjej dhe e prek padurimin kudo ku shkoj, sepse 8 vite të gjata dështimesh të kësaj qeverie dhe këtij kryeministri në ikje i kanë lënë gjurmët, i kanë lënë vragat në trupin e vendit tonë, në familjet tona prej nga kanë shkulur të rinjtë, bijtë dhe bijat dhe i kanë çuar në emigracion. 8 vite dështime, 8 vite varfërim, 8 vite pa mbajtur një premtim të vetëm dhe ka guximin të kërkojë dhe katër vite të tjera. A do ja hapim derën dështimit? Sigurisht që jo! Ju nuk do t’ia hapni derën dështimit dhe ai e di fare mirë, e ka pranuar humbjen, prandaj në dëshpërim e sipër kërkon të bëhet pjesë e qeverisjes së Aleancës për ndryshim! Sot, i them nga kjo rrugë e mbushur tej e përtej me njerëz që duan ndryshim, Edi Rama koha jote ka mbaruar! Çfarë nuk bëre për 8 vite, nuk e bën dot më dhe për ato për të cilat ke rënduar jetën e mijëra familjeve shqiptare. Për ato që e mbajtën Shqipërinë 8 vite në vendnumëro, ja mbylle derën Europës, është koha të të themi ik! Largohu! Shqipëria ka nevojë për ndryshim, shqiptarët janë të etur për ndryshim dhe nuk ka shqiptar që nuk e di se nuk ka ndryshim pa e larguar Edi Ramën dhe keqqeverisjen tij. Së bashku, në do të fitojmë dhe do të sjellim ndryshimin që do çdo shqiptar dhe kështu Shqipëria do të fitojë. Nuk ka marifet ta ndalë këtë vullnet për bashkim. Ne kemi ardhur para jush me plane konkrete dhe zgjidhje konkrete. Ne i marrim përgjegjësitë tona para jush sot dhe jemi gati t’i marrim me ekipin tonë, me ekipin tonë fitues pas 25 prillit për të hapur rrugën drejtë Europës. Drejtë Europës që është destinacioni ynë, është shpresa jonë, është rruga e Shqipërisë së zhvilluar, e Shqipërisë me ekonomi të fortë, e Shqipërisë me punësim, e Shqipërisë me paga dhe pensione të larta, e Shqipërisë që nuk i përzë bijtë dhe bijat e saj më të mirë por i krijon mundësi për të jetuar me dinjitet këtu, në vendin tonë. Ne i kemi marrë përgjegjësitë tona dhe do t’i zbatojmë ato një më një por sonte është koha t’ju kërkoj të gjithë qytetarëve shqiptarë, e në veçanti atyre që për vite me radhë iu është vrarë besimi se në këtë vend mund të ndryshojë diçka. Mbani mend, mbani mend se ky vend kishte forcën për të hequr vizat dhe sjellë dinjitetin çdo babai dhe çdo nëne shqiptare, çdo të riu dhe çdo të reje shqiptare. Ky vend e ka forcën ta hapë rrugën europiane, ky vend i ka mundësitë të krijojë mirëqenie ashtu si vendet e tjera të rajonit, të sjellë investime të huaja. Nuk është faji i Shqipërisë, nuk është faji i shqiptarëve. Prindër të përgjegjshëm, fëmijë të përgjegjshëm ndaj tyre, të gjithë i kanë bërë detyrat e tyre. Një njeri ka vënë veten e tij mbi të gjithë Shqipërinë dhe me 25 prill është dita ta largojmë me votë dhe ti hapim rrugë ndryshimit. Është dita juaj. 25 prilli nuk bëhet as për atë, as për mua, nuk bëhet për partitë politike, bëhet për ju, për fëmijët tuaj, për të ardhmen e tyre, për arsimin e tyre, për punësimin, për mirëqenien. Bëhet për Shqipërinë europiane që është mënyra e vetme për të realizuar shpresën e çdo shqiptari. Është pra dita juaj. Por, miqtë e mi është edhe përgjegjësia juaj, ndaj, ju ftoj me 25 prill të gjithë në kutitë e votimit. Dhe ju pyes, ndryshimi që kërkoni, ndryshimi për të cilin jeni të etur vjen duke votuar numrin?“, tha Basha.

 

Top Channel