Shfaqje force apo…/ A po përgatitet Rusia t’i shpallë luftë Ukrainës?

14/04/2021 06:06

Thjeshtë një shfaqje force apo përgatitje për luftë? Që nga mesi i marsit ka patur shumë paralajmërime nga Ukraina dhe qeverisë perëndimore se Rusia po mbledh trupa në Krimenë e aneksuar prej saj dhe përreth zonës së konfliktit në Ukrainën lindore.

Qëllimet e Rusisë nuk janë aspak të qarta, por mediat perëndimore flasin edhe për luftë në horizont. Shumë burime, shkruan BBC, kanë raportuar lëvizje të mëdha ushtarake të Rusisë drejt kufirit të Ukrainës dhe në Krimenë që forcat ruse e aneksuan nga Ukraina në mars 2014. Shumë nga këto raporte janë shfaqur në Twitter, siç ishte ai i një analisti për raketat me rreze të shkurtër veprimi Iskander.

Kremlini ndërkohë nuk ka dhënë detaje. Zëdhënësi i presidentit Putin, Dimitry Peskov thotë se lëvizja e trupave brenda territorit rus është një çështje e brendshme që nuk duhet të shqetësojë askënd. Por disa trupa, përfshirë njësitë në Krime, kanë bërë edhe stërvitje. Por Peskov edhe akuzon Ukrainën se po bën provokime.

Burime ukrainase të inteligjencës kanë thënë për BBC se forcat shtesë shkojnë deri në 16 grupe taktike batalionësh, ose rreth 14 mijë ushtarë. Në total, sipas presidencës ukrainase, Rusia ka tani rreth 40 mijë ushtarë në kufirin lindor dhe rreth 40 mijë në Krime. Por a është kjo një forcë pushtuese? Mund të jetë, por analistët thonë se një pushtim i madh nuk ka shumë gjasa. Infiltrimi do të ishte metoda më e mundshme dhe e besueshme për Rusinë. Forcat speciale ruse të quajtura “Njerëzit e vegjël jeshilë”, u futën në Krime në 2014.

Ukraina, Nato dhe fuqitë perëndimore thonë se Rusia ka edhe njësi të rregullta dhe armatime të rënda në Ukrainën lindore që kontrollohet nga rebelët. Kremlini e mohon këtë dhe thotë se çdo trupë ruse atje është vullnetare. Ukraina ndërkohë nuk është anëtare e NATO-s pavarësisht se kjo e fundit ka lidhje të ngushta me të. Presidenti ukrainas i ka kërkuar NATOS të përshpejtojë anëtarësimin e vendit në aleancë, por konflikti e bën të vështirë që NATO të pranojë Ukrainën nën kushtet aktuale të aleancës me 30 vende anëtare.

Top Channel