Rama mesazh të rinjve në Burrel: Doni apo nuk doni politika do merret me ju, por varet në çfarë duarsh bie!

14/04/2021 12:41

Kryeministri Edi Rama, në kuadër të fushatës elektorale, është ndalur sot në Burrel, ku në takimin që ka mbajtur me të rinjtë i ka treguar rëndësinë e politikës.

Rama u shpreh se politika duan apo nuk duan ata do merret me ta, për aq kohë sa ndikohen nga sjelljet e politikës, por duhet të dinë se në çfarë duarsh do ta lënë atë.

Rama: Politika do ti apo nuk do, merret me ty, se ti dhe familja jote ndikoheni nga sjelljet e politikës, se çdo gjë jashtë pragut të shtëpisë ndryshon për mirë apo për keq, në varësi të politikës. Pa politikën Shqipëria nuk do ishte duke bërë vaksinim masiv.

Politika që ka arritur këtë rezultat dhe që po arrin deri të paimagjinueshëm të kthimit në shtëpi të mijëra familjeve që humbën gjithçka nga tërmeti.

Nëse politika nuk do të kishte qenë e duhura do kishin mbetur rrugëve. Kur erdha për herë të parë këtu një vend që askund ku të hidhje sytë nuk shikoje politikën por shikoje boshllëkun e saj, gropa, pluhur, rrëmujë. Sot ky është një vend që po merr jetë.

Sot ëndrra shekullore e ujit të pijshëm nuk është më një ëndërr që do të vazhdojë edhe një shekull tjetër, por një çështje ku po investohet fuqishëm në të dy ujësjellësit që do ta bëjnë Burrelin dhe Matin me 24 orë ujë.

E di që kanë të drejtë dhe s’kanë të drejtë në fakt, ata që thonë akoma me ujin e pijshëm merreni. Ne nuk kemi 100 vjet në drejtim dhe kur morëm detyrën situata ishte katastrofike.

Sot unë arrita këtu nga “Rruga e Arbrit” që është duke përfunduar. Një ndryshim i jashtëzakonshëm nga rruga tjetër. Fjala e parë që dëgjova kur erdha ishte ‘aman shumë bukur rruga, por është rruga Burrel-Rrëshen që u ndërtua nga ata që sot duhet të kthehen prapë dhe për gjashtë muaj e mori shiu e era. Do ta bëjmë edhe këtë rrugë, por e sjell këtu në vëmendje se politika e bën dhe zhbën një vend. Varet se në çfarë duarsh bie politika, në duar që punojnë gjithë ditën, apo në duar që mendojnë si të futen në xhepat e të tjerëve.

 

Top Channel