Edhe Johnson and Johnson…/SHBA, pezullohet përdorimi pas mpiksjeve të gjakut

14/04/2021 05:30

Agjencia Amerikane e Ushqimit dhe ilaceve rekomandoi të martën një pauzë në përdorimin e vaksinës me një dozë të vetme të Johnson and Johnson, për shkaqe sigurie.

“Siguria e vaksinës është një prioritet kyç për qeverinë federale dhe ne po marrim çdo raport për probleme shëndetësore pas vaksinimit shumë seriozisht”, tha FDA në një deklaratë për shtyp.

The New York Times, raportoi se gjashtë persona që morën vaksinën e Johnson and Johnson, zhvilluan një çrregullim të rrallë, me mpiksje gjaku, brenda dy javësh nga marrja e vaksinës dhe njëri prej tyre humbi jetën. Një tjetër person i vaksinuar ndërkohë, është në gjendje kritike në spital-raportojnë mediat amerikane.

Javën e kaluar, një qendër masive vaksinimi në Kolorado, u mbyll përkohësisht pasi 11 persona patën efekte anësore mes të cilëne të vjella dhe këputje pasi morën vaksinën e Johnson and Johnson. Kjo e fundit, vetëm një ditë më parë nisi të shpërndahej edhe në BE pas miratimit më parë nga agjencia evropiane e barnave, EMA. Edhe OBSh e ka miratuar vaksinën e Johnson and Johnson më 12 mars.

Vaksina e Johnson&Johnson merret vetëm përmes një doze dhe sipas rezultateve të deritanishme është 66 për qind efektive kundër koronavirusit. Studimi për këtë vaksinë ka përfshirë 44.000 vullnetarë, dhe është kryer në tre kontinente dhe në disa lloje të koronavirusit. Kompania gjithashtu thotë se rezultatet e saj paraprake tregojnë se një dozë e vetme parandalon 85% të rasteve të rënda.

Top Channel