Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka biseduar me të rinj në zonën e Farkës në Tiranë, për problemet që i shqetësojnë.
Ai shpjegoi programin e qeverisë së tij të ardhshme, ku tha se si përgjegjësi kryesore ka ndalimin e emigrimit të të rinjve, anulimin e ligjit për arsimin e lartë dhe krijimin e mundësive që asnjë i ri shqiptar të mos mbetet i pashkolluar.
“Përgjegjësia më e madhe e imja dhe ekipit tim pas 25 Prillit është ndaj jush. Këtë përgjegjësi ne do ta përkthejmë në vepra konkrete që do të ju ndihmojë për të zgjidhur disa nga hallet, dilemat, problemet që keni, sfidat dhe pikëpyetjet e mëdha që ju kanë munduar këto 8 vite, sepse me të vërtetë kanë qenë 8 vite të vështira për të gjithë, por kanë qenë 8 vite të tmerrshme për rininë shqiptare. Natyrisht edhe për familjet tuaja, largimi masiv i shokëve dhe i shoqeve tuaja në emigracion e provon këtë. A ka plagë më të madhe për ju?! Prindërit e atyre që nuk i kemi më mes nesh? A ka detyrë më të rëndësishme për kryeministrin e ardhshëm sesa ta ndalë këtë plagë?! Kjo plagë nuk ndalet me llafe, nuk ndalet me premtime boshe nga ato që kemi dëgjuar gjatë këtyre 8 viteve. Kjo plagë ndalet duke marrë veprime të vendosura siç do të jetë vendimi im i parë për të anuluar ligjin për arsimin e lartë dhe për të kthyer universitetet shqiptare në qendra të trajnimit dual, ku mos të ketë bijë dhe bir shqiptari që të mbetet pa studiuar për shkak të pamundësisë ekonomike të familjes së vet. Me këto masa, do të mundësoj që çdo i ri, çdo e re që dëshiron të ndjekë universitetin dhe të marrë një profesion, t’i mundësohet kjo dhe jo thjesht një diplomë por një profesion. Jemi investuar në këtë program para një jave, para një muaji, në vazhdimësi, kam qenë në bisedime me Bashkimin Europian, me autoritetet më të larta të Bashkimit Europian, me Aleancën e Universiteteve Europiane, që kur të futeni në universitet apo ju që jeni në universitet, gjysmën e kohës ta keni teori, gjysmën tjetër ta keni praktikë dhe pas kësaj t’ju sigurohet dhe një stazh, i paguar” – u shpreh Basha.
Basha iu përgjigj interesit të të rinjve për mënyrën se si do të mbështeten studentët. Ai përsëriti zotimin se çdo student që vjen nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë të vjetra në muaj, shteti do t’i paguaj 100% tarifën bachelor dhe master dhe 50% të tarifës për studentët që vijnë nga familje me të ardhura mbi 640 mijë lekë të vjetra në muaj.
“Thjeshtë dhe qartë. Nëse vini nga familje të cilat nuk kanë më shumë se 640 mijë lekë të vjetra në muaj të ardhura, shteti do të paguaj 100% tarifën tuaj për bachelor dhe për master dhe nga kjo masë do të përfitojnë 90% e studentëve shqiptarë sepse për fat të keq aktualisht 90% e familjeve shqiptare që çojnë apo duan që të çojnë fëmijët e tyre për studime kanë ta ardhura nën 640 mijë lekë në muaj. Për të gjithë të tjerët që vijnë nga familje mbi 640 mijë lekë të vjetra në muaj do të subvencionohet 50% të tarifave për bachelor dhe master” – tha Basha.
Kreu i opozitës shpjegoi edhe mënyrë e trajnimit DUAL, e cila do t’u mundësojë studentëve stazhe të paguara nga shteti dhe krijimin e lidhjes me tregun e punës me paga dinjitoze. Ai gjithashtu tha se ndryshimin nuk ka marifet që e ndal më 25 prill, duke iu referuar lajmit të djeshëm për vjedhjen e informacioneve personale të qytetarëve.
“E di edhe ai dhe nuk ka marifet që e shpëton. E keni parë atë marifetin që publikuan dje që rrinë dhe mbledh numra të kartave të identitetit, e tjerë, e tjerë. Nuk ka marifet që e shpëton. 25 prilli është dita e bashkimit më të madh të shqiptarëve për ndryshim. Pas 25 prillit ndryshimi do të marrë formë konkrete. Ty si gjimnaziste do të ofrojë mundësinë të zgjedhësh degën e preferuar në një universitet i cili do të ndihmohet nga qeveria shqiptare dhe nga Bashkimi Europian, që atë degë ti të përvetësosh profesionin tënd, jo thjeshtë përmes mësimit teorik por edhe përmes praktikës. Dhe ndërkohë që kjo ndodh, ne do të kemi krijuar në këtë vend një sistem fiskal me taksa të ulëta, një liri tregu. Do të kemi shporrur terrorin e taksidarëve të inspektorëve dhe të shtetit në tërësi dhe do të kemi bërë të mundur kësisoj që investitorët shqiptarë dhe investitorët e huaj të hapin vende pune dhe të kërkojnë profesionistë të zotë. Pikat kryesore të planit që kemi hartuar me atë universitetet Europiane që ju thash është që ne do ta shndërrojmë universitetin Shqiptarë, Institucionet e Arsimit të Lartë në Shqipëri, institucionet e trajnimit të profesionistëve të ardhshëm, jo vetëm dërrase e zezë dhe shkumës, jo vetëm leksione dhe seminare. Ne do të synojmë që brenda një kohe të shkurtër gjysma e kohës së studimeve të jetë de facto, faktikisht, praktikë. Nuk ka rëndësi nëse po studion juridik apo ekonomi, shëndetësi apo inxhinieri, gjysma e kohës do të jetë praktikë dhe në fund të studimeve për 10 mijë më të mirët do të ketë një stazh 12 mujor me një pagesë minimale 30 mijë lekë të vjetra në muaj që të mundësojë që ju të shkoni nga auditori te tregu i punës me një udhërrëfim, me një hartë rruge, siç është stazhi, siç është praktika. Dhe ne e dimë se kur ndodhë kjo 9 në 10 studentë të sapo diplomuar gjejnë vendin e punës. Kam folur për këtë gjerësisht këtë mëngjes me më të mirët në botë që janë Gjermanët. Janë ata që futën praktikën e trajnimit DUAL i thonë, gjysmë teori, gjysmë praktikë dhe kam garancinë dhe mbështetjen e një prej organizatave më të fuqishme që do të na mbështesin pas zgjedhjeve. E vetmja gjë që kërkuan është që gjërat në Shqipëri të ndryshojnë, e vetmja gjë që kërkuan është që të ketë një qeveri tek e cila të kenë besim, sepse 8 vite me radhë ata nuk kanë pasur besim tek kjo qeveri” – tha Basha.
Top Channel