“BE na la pa vaksina”/ Rama sulmon sërish opozitën nga Gramshi: Shqiptarët u turrën pas Haxhi Qamilit, Sudes e Xhaferrit!

12/04/2021 12:08

Kryeministri i vendit, Edi Rama vijon me fushatën elektorale dhe këtë të hënë ndodhet në Gramsh, nga ku dha disa mesazhe shumë të forta në një bashkëbisedim me të rinj dhe të reja të këtij qyteti.

Kryeministri Rama nuk ka kursyer as ‘sulmet’ kundrejt opozitës dhe thotë se shqiptarët që shkuan pas tyre e paguan shtrenjtë.

Ai  u shpreh se sot Shqipëria nuk ka asnjë krahasim me atë që ishte para 7-8 vitesh por që është larg së qeni ëndrra e të rinjve.

Rama: Për të ardhur në Gramsh ishte një torturë e vërtetë para disa vitesh. Është shumë më afër Elbasanit dhe ne jemi shumë më larg të shkuarës dhe shumë më afër të ardhmes. Mos e harroni për asnjë moment se sa më lart të ngjitesh aq më e vështirë bëhet ngjitja. Thonë se kur nisesh drejt një maje sa më afër majës aq më larg duket maja, sepse zemra rreh më fort, mendja fillon dhe të thotë “ndalu, ulu, pusho, kthehu mbrapa, shiko se mos ka ndonjë rrugë tjetër, mos ka ndonjë mundësi për t’i rënë më shkurt”. Njeriu komuniteti, një komb i tërë sprovohet për të fituar apo për të humbur.Në historinë tonë ka ndodhur që kur era është bërë më fortë, t’i shmangemi sfidave të mëdha dhe ta pësojmë keq. Shqiptarët për t’i rënë shkurt u turrën pas Haxhi Qamilit, pastaj pas Sudes, Xhaferrit dhe e paguan shumë shtrenjtë. Shqipëria iu shmang sfidës për të reformuar, për tu përballur me varfërinë, duke iu dhënë fund zaptimeve e kështu me radhë. Sot Shqipëria nuk ka asnjë krahasim me atë që ishte përpara gjashtë apo shtatë viteve, por është larg së qenë asaj që duhet të jetë për të gjithë fëmijët e këtij vendi. Do të vazhdojmë të ndiqemi për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë. Mendoj që nuk ka asnjë ndryshim që pikërisht Shqipëria që punon dhe prodhon, eksporton produkte bujqësore, sot Shqipëria që ndërtonte ardhmen e vet në turizëm, Shqipëria që shkon përpara përmes punës. Vetëm puna të shpërblen. Është me PS, për tu përballur sy më sy me sfidat e të fitohet, jo duke fjetur gjumë, por duke luftuar për ti zgjidhur gjërat.

Rama flet për vaksinimin dhe thotë se BE e la Shqipërinë pa vaksina por ne sot jemi një nga dy vendet që sot po vaksinon masivisht në Ballkan dhe sot Shqipëria është në fashën më të lartë të vaksinimeve.

Rama: Sot jemi në një moment kur i kemi para syve tërmetin. Mijëra familje që humbën çatinë brenda pak sekondave. I kemi para syve të gjithë përpjekjet për ti dhënë atyre familjeve një strehë të ngrohtë dhe njëkohësisht për të filluar trokitjet në botë në mënyrë që të nisnim rindërtimin.Lagjet e reja kanë filluar të marrin formë, shkollat e reja nuk kanë asnjë krahasim me shkollat para se të binte tërmeti. Kushdo që ka sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar e sheh që ne po dalim më të fortë, më të mirë pas asaj goditje. Nuk po dalim më të fortë në socialistët por shqiptarët dhe Shqipëria, sepse ne nuk i kemi ndarë familjet e goditura në majtas e djathtas. Nuk i kemi lënë demokratët në tenda, por i kemi parë sy në sy si shqiptarë. Jemi bërë një bashkë me ta.
Ndërkohë që u goditëm aq rëndë nga një fatkeqësi aq e madhe sa tërmeti, ne arritëm të bashkojmë energjitë dhe burimet financiare, na erdhi goditja tjetër. Tërmeti që goditi gjithë botën. Tërmeti i armikut të padukshëm. Ndodh një herë në 100 vjet, na qëlloi neve, kësaj kohe dhe ne përsëri nuk u dorëzuam edhe pse ai tërmet sprovoi sistemet më të zhvilluara të botës. Ne ia dolëm ta përballojmë dhe ia dolëm të sigurojmë vaksinimin masiv të të gjithë popullit në një lagje në mes të Europës pasi BE-ja na la jashtë procesit të vaksinimit nga vendet e rajonit. Sot Shqipëria është në fazën më të lartë për vaksinimin, për jetë të shpëtuara, për të gjithë. Ne nuk pamë kush janë gjyshet e gjyshërit e socialistëve apo të demokratëve, i pamë si të ishin gjyshërit tanë.

Top Channel