Më 17 prill, lamtumira e fundit/ Të shtëna topash e nderime për Princin Philip

10/04/2021 22:06

Me të shtëna armësh e topash, në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, iu dha lamtumira e fundit bashkëshortit të mbretëreshës Elizabetë, princit Philip, që u nda nga jeta në moshën 99 vjeçare.

Me të shtëna topash u nderua ai në Londër, Edinburg, Kardif dhe Belfast, por edhe në bazat detare, në luftanijet në det dhe në territorin britanik të Gjibraltarit.

E njëjta gjë, sipas protokollit ushtarak, ndodhi edhe në Canberra dhe Wellington duke qenë se mbretëresha është shefja e shtetit edhe në Australi dhe Zelandën e re.

Në kullën e Londrës, një turmë prej më shumë se 100 personash, mbajtën heshtje ndërsa ndiqnin njësinë e artilierisë që nderonte me të shtëna armësh në brigjet e lumit Tamiz.

Eventet sportive, përfshirë ndeshjet e Premier Leagës dhe kampionatin e kriketit, bënë nderimet e tyre po ashtu me disa minuta heshtje.

Vdekja e dukës së Edinburgut, bashkëshorti mbretëror më jetëgjatë në historinë britanike, është një humbje e madhe për monarken 94 vjeçare, që dikur kishte thënë për bashkëshortin, se ai ishte forca dhe vullneti I saj përgjatë mbretërimit.

Flamujt janë ulur të gjithë në gjysmë shtizë në godinat qeveritare dhe do të qëndrojnë ashtu deri mëngjesin pas ceremonisë funerale, që sic njoftoi pallati i Buckinghamit do të mbahet më 17 prill.

Në Westminster Abbey, ku edhe është martuar çifti në 1947, I ra kambanave 99 herë të premten, një e rënë për çdo vit të jetës së princit.

Princi Philip, që do të kish festuar ditëlindjen e tij të 100 pas dy muajsh, ka qenë I sëmurë për disa kohë dhe qëndroi për më shumë se një muaj në spital nga 16 shkurti, pasi u trajtua për një sëmundje në zemër dhe një infeksion. Edhe pse dukej I brishtë, kur doli nga spitali, më 16 mars, pati shpresa për shërimin e tij.

FOTO GALERI
3/7

Top Channel