Zemërohet Erdogan/ Draghi e quan diktator, la në këmbë von der Leyen

09/04/2021 12:53

Kryeministri italian, Mario Dragi e quajti presidentin turk diktator, pasi presidentja e komisionit evropian, Ursula von der Lejen u la në këmbë në një takim të zhvilluar në Ankara. Kjo e ka zemëruar shumë Turqinë e cila i dënoi menjëherë komentet.

Turqia i dënoi komentet e bëra nga kryeministri i Italisë, i cili e krahasoi presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, me një diktator dhe e kritikoi trajtimin që i është bërë presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës në Turqi, këtë javë. Von der Leyen dhe shefi i Këshillit Evropian, Charles Michel, u takuan me Erdoganin në 6 prill. Të ftuarit u shoqëruan në një dhomë të madhe për bisedime, por atje ishin vendosur vetëm dy karrige për tre udhëheqësit.

Atje u ulën dy burrat, ndërsa von der Leyen u ul në një divan të madh, larg homologëve të saj meshkuj. Ankaraja i hodhi poshtë akuzat për shpërfilljen e von der Leyenit, për shkak të gjinisë së saj. Kryeministri italian, Mario Draghi, tha se është “shumë i pakënaqur me poshtërimin që presidentja von der Leyen ka pësuar”.

Draghi gjithashtu tha se është e rëndësishme që të jetë i sinqertë me “diktatorët”.

Në përgjigje, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, tha se Turqia “dënon me forcë vërejtjet populiste dhe komentet e shëmtuara dhe të paarsyeshme”, të bëra nga Draghi. Michel tha se situata e krijuar ishte rezultat i “interpretimit të rreptë” të rregullave të protokollit nga shërbimet turke. Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer, tha se von der Leyen është “befasuar” nga aranzhimi, por “ka vendosur të vazhdonte, duke i dhënë përparësi substancës, përballë protokollit”.

Lidhjet midis Ankarasë dhe BE-së janë tensionuar për vite me radhë për një varg çështjesh, që përfshijnë fluksin e migrantëve dhe përpjekjen e Turqisë për gaz në Mesdheun Lindor.

 

Top Channel