Krizë në kufirin SHBA-Meksikë/ Numër rekord fëmijësh të pashoqëruar

09/04/2021 02:44

Gati 19 fëmijë që udhëtonin të pashoqëruar përgjatë kufirit meksikan në muajin mars, janë mbledhur nga rojet kufitare amerikane, numri më i madh i regjistruar ndonjëherë dhe një test madhor për Presidentin Joe Biden që po zhbën shumë prej taktikave të ashpra për emigracionin të paraardhësit të tij.

Rritja u nxit nga një shumëllojshmëri komplekse faktorësh në Shtetet e Bashkuara dhe Amerikën Qendrore. Ajo koinçidoi me vendimin e administratës Biden për të përjashtuar fëmijët e pashoqëruar nga fuqitë e dhëna për shkak të pandemisë, për dëbimin e menjëhershëm të shumicës së njerëzve nga vendi, pa u dhënë mundësinë të kërkojnë azil, thotë VOA.

Fëmijët tashmë u jepen “sponsorëve” në Shtetet e Bashkuara, zakonisht prindër ose të afërm, dhe u lejohet të ndjekin çështjen e tyre në gjykatat e mbingarkuara të emigracionit. Shifrat e marsit janë gati dyfishi i shifrave të fëmijëve të pashoqëruar të pikasur nga Patrulla Kufitare në muajin shkurt, dhe mbi pesë herë më shumë se numri i marsit 2020.

Rritja e jashtëzakonshme e fëmijëve që udhëtojnë të pashoqëruar – disa edhe në moshën 3-vjeçare – si dhe e familjeve, ka ngarkuar së tepërmi objektet e mbajtjes në kufi, të cilave nuk u lejohet të mbajnë njerëzit për më shumë se tre ditë, megjithëse shpesh veprohet kështu.

Kjo ka krijuar vështirësi për qeverinë e cila po përpiqet të sigurojë hapësira dhe të punësojë staf për t’u kujdesur për fëmijët në periudhën afatgjatë, derisa të vendosen me sponsorët e tyre.

Top Channel