Greqia hap edhe shkollat e mesme/ Testet do të jenë të detyrueshme çdo të hënë dhe të enjte për vijimin e mësimit

09/04/2021 02:22

Pasi janë hapur këtë të hënë në të gjithë vendin, përveç Selanikut, Patrës dhe Kozanit, gjithë dyqanet e bizneseve të vogla, autoritetet greke kanë njoftuar se shkollat e mesme në Greqi do të hapen përsëri në 12 Prill, nën masa të rrepta.

Duke folur gjatë një konference për shtyp ministrja e Arsimit dhe Besimeve Fetare ka deklaruar se tre klasat e fundit të shkollës së mesme do të rinisin vitin shkollor që është ndërprerë dy herë deri tani, duke përdorur dy herë në javë testet falas . Prej dje në Greqi ka filluar furnizimi i farmacive dhe çdo person me anë të numrit të sigurimeve shoqërore ka të drejtën për të marrë një test falas në javë, kurse për nxënësit dhe mësuesit e liceut, jepen dy të tillë.

‘Testet do të jenë të detyrueshme çdo të hënë dhe të enjte për vijimin e shkollës. Duke përdorur numrin e tyre të sigurimeve shoqërore nxënësit dhe mësuesit do të jenë në gjendje të marrin dy teste falas në javë nga farmacitë’- tha Niki Kerameus, ministre e Arsimit të Greqisë.

Nxënësit dhe mësuesit që do të hyjnë në klasa do të duhet të kenë sjellë rezultatin negativ të testit të kryer në shtëpi atë mëngjes ose një ditë më parë në mbrëmje. Gjithashtu do të duhet të mbajnë maska brenda dhe jashtë klasës dhe do të bëjnë pushime në kohë të ndryshme për të shmangur grumbullimet, ndërsa shkollat do të pastrohen dhe ajrosen rregullisht.

Sa u përket 6 klasave të shkollës fillore dhe 3 klasave të gjimnazit, ministria greke e arsimit thotë se nuk pritet të fillojnë mësimet para Pashkëve ortodokse, në fillim të muajit maj.

Ndërkohë në vend vazhdon të jetë ende i lartë numri i rasteve të të prekurve dhe vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar mbi 3220 të infektuar si dhe 73 humbje jete, në total 8680. Ndërsa shqetësim i madh mbetet numri i të intubuarve që thyen rekorde çdo ditë duke shkuar ditën enjte në 776 shifra me e lartë prej fillimit të pandemisë.

Top Channel