Ushtria dhe FNSH zbarkojnë në Rinas/ Një nga kontrollorët u shoqërua në polici. Prokuroria nis hetimet për shpërdorim detyre

08/04/2021 00:30

Policia dhe ushtria kanë marrë në ruajtje godinën e AlbControl, kompania që monitoron hapësirën ajrore në Shqipëri. Kjo pas emergjencës së krijuar nga greva e kontrollorëve. Mbrëmjen e së mërkurës një prej kontrollorëve është shoqëruar në Polici.

Bëhet fjalë për Muhni Mezinin, që u përfol se si personi i stresuar që kishte marrë para borxh te familjarët për të përballuar jetesën. Ai është thirrur në polici pasi ka përfunduar turnin dhe është një nga 5 kontrollorët që ka shprehur paaftësinë për të kryer detyrën për shkak të stresit. Ndërkaq në mbrëmje vonë Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë njoftoi se ka filluar hetimet për situatën e ndodhur në aeroportin e Rinasit.

Vepra penale për të cilën po hetohet lidhet me Shpërdorim detyre, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore, po kryhen veprimet e duhura hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur dhe po vijojnë veprimet hetimore në drejtim të evidentimit të rolit të secilit prej personave të përfshirë në këtë ngjarje.

Ndërkohë ministrja e Infrastrukturës Balluku e ka quajtur grusht shteti atë që ndodhi në Rinas. Ajo ka paralajmëruar masa ligjore për kontrollorët që sipas saj kanë braktisur detyrën. Kontrollorët kanë shpallur paaftësinë e përkohshme për kryerjen e detyrës, ç’ka ka sjellë edhe bllokim total të fluturimeve deri në një periudhe të pacaktuar. Ata kërkojnë rimarrjen në punë të punonjësve të larguar si dhe pagat e plota.

Ndërkohë kryeministri i bëri një apel të fundit kontrollorëve “Ndahuni nga ata që ju futën në këtë lojë të çmendur me zjarrin! Braktisini në rrugën e tyre qorre organizatorët e kallëzuar penalisht! Kush nuk kthehet në punë të enjten, nuk do gjejë më vend në Albcontrol. Koha e Rrumpallës ka vdekur dhe nuk kthehet!”- tha Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA